Abuzimet me fondet e IPARD, pyetet në SPAK administratori i kompanisë CMC

Administratori i kompanisë “Converse Management Consulting” (CMC), Reni Ashiku, është paraqitur sot në ambientet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Mësohet se Ashiku u mor në pyetje në lidhje me hetimet për abuzimet me fondet e IPARD.

Kompania Converse Management Consulting (CMC), është një shoqëri e cila ofron shërbime konsulence edhe në fushën e agrobiznesit.

Hetimet lidhen me menaxhimin dhe shpërndarjen e fondeve të programit IPARD, një skemë mbështetëse e Bashkimit Europian për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale.

Në këtë çështje është e kallëzuar edhe ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca.

Fondet e IPARD vijojnë të mbeten të bllokuara për një afat të pacaktuar dhe pasojat në mënyrë direkte i vuajnë fermerët shqiptarë, të cilët nuk mund të përfitojnë dot prej tyre.

Në korrik të vitit 2023, Bashkimi Evropian vendosi të pezullojë këtë mbështetje për Shqipërinë, për shkak se IPARD II u përfshi në hetime nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), me dyshimet për keqmenaxhim të këtyre fondeve.

Më pas rezultatet e hetimeve iu dorëzuan autoriteteve të Brukselit, ndersa OLAF zbuloi shumë parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të shumë projekteve.