Skandali i Spitalit Onkologjik do të duhej të sillte një tjetërsim të shërbimit për të sëmurët me kancer, por ashtu siç ndodh gjithmonë në Shqipëri, asgjë nuk ka ndryshuar.
Pacientët vijojnë të sorollaten nga qytetet ku jetojnë drejt Tiranës e më pas detyrohen në kthehen sërish pa marrë asnjë shërbim, pasi sistemi shëndetësor në vendin tonë është në duart e disa personave të papërgjegjshëm.
Gazetari Osman Stafa ka sjellë një tjetër rast flagrant se si pacientët presin me ditë e me muaj për të bërë një ekzaminim, që të kuptojnë se ku duhet të luftojnë sëmundjen që nuk të fal as një ditë, kancerin.
Në postimin e tij, Stafa tregon se 4 gra në qytetin e Lezhës janë në pritje për të bërë një skaner me kontrast, por asnjërës prej tyre nuk i kanë dhënë asnjë informacion, thjesht u kanë thënë të presin. Por, a pret kanceri?
“Kur sistemi i shëndetësisë kthehet në një mur absurd ku përplasen me dëshpërim qytetarët, kjo nuk është më vetëm papërgjegjshmëri.
Ky është krim. Një krim që kryhet çdo ditë, në heshtje, në koridore ku mungon edhe ndjenja më minimale njerëzore: ndjeshmëria për jetën. Zonjat e Lezhës nuk kërkojnë lëmoshë. Kërkojnë të jetojnë. Dhe për këtë, i takon shtetit t’u sigurojë një shërbim dinjitoz, jo një rrugëtim poshtërues nga një derë në tjetrën”, shkruan gazetari ndër të tjera.
Postimi i plotë i Osman Stafës:
A PRET KANCERI?
GJ. D vuan nga leuçemia.
A. K, E. M dhe T. K janë gra që luftojnë për jetën me kancerin e gjirit.
Të katërta janë sot në Spitalin e Lezhës, duke pritur… jo mjekimin, po një skaner me kontrast. Një ekzaminim bazë, i domosdoshëm, për të kuptuar ku është armiku që u ha trupin ditë pas dite. Por nuk ka datë. Nuk ka kod. Nuk ka sistem. Asnjë informacion. Asnjë përgjegjësi.
Në Tiranë u thanë: “Shkoni në Lezhë, se atje bëhet skaneri.”
Shkojnë në Lezhë: “S’ka sistem, as dje, as sot, as nesër… se dimë kur.”
Çfarë loje mizore është kjo me jetën e grave shqiptare?
A është ky një sistem shëndetësor apo një aparat i prishur që s’bën më as zhurmë?
Këto gra nuk kanë dhimbje koke. Ato kanë diagnoza të rënda, gra që po përpiqen të mbijetojnë, të diagnostikohen në kohë, të ndjekin terapitë, të mos dorëzohen. Dhe çfarë bën sistemi shëndetësor? U thotë të presin.
Po a pret kanceri? A presin qelizat kancerogjene, derisa të rregullohet “sistemi”?
A pret metastaza?
Jo. Kanceri nuk pret. Kanceri nuk fal.
Kur sistemi i shëndetësisë kthehet në një mur absurd ku përplasen me dëshpërim qytetarët, kjo nuk është më vetëm papërgjegjshmëri.
Ky është krim.
Një krim që kryhet çdo ditë, në heshtje, në koridore ku mungon edhe ndjenja më minimale njerëzore: ndjeshmëria për jetën.
Zonjat e Lezhës nuk kërkojnë lëmoshë. Kërkojnë të jetojnë. Dhe për këtë, i takon shtetit t’u sigurojë një shërbim dinjitoz, jo një rrugëtim poshtërues nga një derë në tjetrën.