A po bëhen gati vendet evropiane të rifutin shërbimin e detyrueshëm ushtarak ?!

Nga Kaspar Soukand “Linkiesta”

Për shumë ushtri evropiane, viti 2022 shënoi fundin e një epoke. Raketat ruse të hedhura ndaj Ukrainës, simbolizuan si përshkallëzimin e konfliktit më të madh të armatosur që nga Lufta e Dytë Botërore, ashtu edhe fundin e praktikës së ushtrive profesioniste për qeveritë e të gjithë kontinentit.

Për vite të tëra, shtetet evropiane janë mbështetur tek ushtritë e vogla, të përbëra nga një personel i specializuar, që luftojnë në Afrikë apo Lindjen e Mesme, mijëra kilometra larg vendit të tyre të origjinës, dhe në vende ku armiqtë kanë pasur në dispozicion vetëm pajisje të cilësisë së dobët dhe që njihnin vetëm teknikat tradicionale të luftimit.

Për këtë arsye, ushtarët evropianë janë shndërruar në anëtarë të një departamenti policor shumë të specializuar, dhe jo të trupave të gatshme për të luftuar në frontet klasike të betejës. Gjatë luftës kundër terrorizmit, ushtritë profesioniste të përbëra nga disa njësi, mjaftuan për të garantuar sigurinë e vendeve perëndimore.

Por sot, për shkak të kërcënimeve të paprecedenta që duhen përballur, është bërë më se e nevojshme pasja në dispozicion e ushtrive, të cilat kanë në bazë të tyre shërbimin e rekrutëve. Ukraina na ka treguar se e vetmja mbrojtje e mundshme është mbrojtja totale, e cila mund të arrihet vetëm përmes një ushtrie rezervistësh.

Kjo edhe sepse aktualisht, ka shumë pak vende që mund të përballojnë të kenë një ushtri profesioniste, të përbërë nga një numër i mjaftueshëm ushtarësh. Dhe në çdo rast, edhe për ta do të ishte një shpenzim shumë i madh, në rast se do të shpërthente një luftë llogoresh duke pasur përballë trupa të shumta dhe të afta në aspektin strategjik.

Pastaj, të mendosh se popullata mund të mos përfshihet në një konflikt të tillë, është minimalisht naive. Kësisoj, mospërgatitja e tyre për këtë skenar të mundshëm, do të ishte një gabim i rëndë. Me luftën që është në pragun e Evropës, duhet të merren vendime të vështira.

Dhe kjo gjë duhet të ndodhë shumë shpejt, pasi kalimi nga një ushtri profesioniste në një ushtri të rekrutëve, nuk do të mjaftojë që shtetet evropiane të jenë më të qeta. Sepse edhe nëse e gjithë Evropa, do të rifuste sot shërbimin e detyrueshëm ushtarak, trajnimi i një ushtrie rezervistësh në të gjitha nivelet do të kërkonte shumë kohë.

Dhe në fakt, edhe në vendet ku shërbimi në ushtri është tashmë i detyrueshëm, sot dallimet midis shteteve në të cilat rekrutimi tradicional ka mbetur i pandërprerë që nga vitet 1990, dhe atyre në të cilat ai u rifut vetëm në fillim të viteve 2000, janë më se të dukshme.

Për shembull, ndërsa Estonia – por edhe vendet fqinje me të, në veri dhe lindje – vazhdon të rekrutojë ende sot rezervistë, Letonia i dha fund shërbimit të detyrueshëm ushtarak në vitin 2007. Dhe kështu, pas 15 vjetësh, është shumë e dukshme se kush e ka avantazhin:Talini.

Edhe pse ka një popullsi prej vetëm 1.37 milion banorësh, Estonia mund të mbështetet tek mbi 85 mijë trupa rezervistësh. Ndërsa Letonia, me një popullsi prej 1.85 milionë banorësh, ka një numër modest rezervistësh, më pak se 22  mijë.

Madje edhe këta nuk janë të përditësuar me taktikat më novatore luftarake. Dhe boshllëqe të tilla janë serioze, dhe nuk mund të plotësohen shpejt, edhe pse po flasim për një çështje jashtëzakonisht urgjente.

Ndërtimi i sistemeve të trajnimit të ushtarëve do të kërkojë vite, dhe përshtatja e strategjive dhe pajisjeve tashmë të disponueshme për rezervistët e rinj, do të marrë akoma më shumë kohë. Por ndërtimi i një ushtrie të përbërë nga civilë, do të kërkojë dekada punë të vazhdueshme.

Situata në Ukrainë është përkeqësuar aktualisht, pasi është dobësuar gjendja e forcave të armatosura të këtij vendi, veçanërisht në lidhje me numrin e rekrutëve të rinj. Në tetorin e vitit 2013, më pak se një muaj para fillimit të lëvizjes së protestave të Euromaidan, presidenti i kohës Viktor Janukoviç deklaroi se do të anulohej shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

Në rast se konflikti do të kishte filluar në vitin 2022, dhe jo në vitin 2014 siç edhe ndodhi, Ukraina do të kishte qindra mijëra burra më pak në dispozicion në rezervat e saj. Krijimi i një ushtrie të aftë për ta mbrojtur Evropën, do të thotë të rekrutosh dhe të trajnosh të rinj vit pas viti, gjë që nuk është e lehtë.

Megjithatë, duke pasur parasysh situatën aktuale, është e pamundur të mos pyesim:”A kanë luksin vendet evropiane, të heqin dorë nga miliona mbrojtës të ardhshëm të atdheut të tyre, në favor të asaj që tani duket se është më e përshtatshme?”. Shtetet baltike dhe ato skandinave, kanë vendosur që jo. Ndërkohë për vendet e tjera, nuk është ende e qartë nëse shoqëria është gati të përballet me një vendim të ngjashëm.