A i duhen Shqipërisë 140 deputetë?

“Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”.

Kjo është një shprehje e Ronald Reagan, Presidenti i 40-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por që i përshtatet më së miri politikës shqiptare të viteve të fundit.

Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë, por jo të gjithë mund t’i cilësojmë si politikanë, pasi janë këta deputetë që marrin vendimet më të rëndësishme në vendin tonë duke ngritur kartonin PRO, shpeshherë edhe pa e kuptuar se për çfarë po votojnë.

Një pjesë e mirë e tyre të vetmen punë në jetë kanë atë të “deputetit”, pasi janë futur në politikë për shkak të lidhjeve familjare me kryetarët e partive apo falë mundësive ekonomike që kanë, disa herë duke blerë vota, e disa të tjera duke mbushur xhepat e kryetarëve për të qenë në pjesën e sipërme të listës.

Vitet e fundit është rritur numri i deputetëve të cilëve u janë zbuluar lidhjet me grupet kriminale, apo kanë lënë mandatet për korrupsion dhe shkelje të tjera të ligjit, çfarë tregon më së miri nivelin e politikës në Shqipëri.

Sot, 1 deputet i Kuvendit të Shqipërisë, përfaqëson mesatarisht 19.727 qytetarë, sipas shifrave të popullsisë të publikuara nga INSTAT për vitin 2023.

Por a i duhen Shqipërisë 140 deputetë?

U bë kohë e gjatë nga hera e fundit kur një deputet ka folur në Kuvend për problemet e zonës dhe qytetarëve që ai përfaqëson. Disa prej tyre heshtin pothuajse gjatë 4 viteve dhe zërin e ruajnë për premtimet gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa një pjesë tjetër i bindet agjendës së kryetarit.

41 prej tyre kanë marrë pjesë në seancat plenare vetëm për të marrë rrogën në fund të muajit, pasi përgjatë sesionit shtator-dhjetor (2023) nuk kanë mbajtur asnjë fjalim.

Sot një deputet merr 3.1 milion lekë të vjetra rrogë, të cilave iu shtohen edhe rreth 2 milionë lekë të tjera përfitime. Janë më shumë se 700 mijë euro në muaj që dalin nga Buxheti i Shtetit vetëm për pagat dhe përfitimet e 140 deputetëve.

4 vite më parë, Italia uli numrin e deputetëve dhe atë të senatorëve, duke arritur të kursejë 100 milionë euro në vit. A nuk është koha që edhe në Shqipëri të bëhet ky ndryshim?

Një vend i vogël si Shqipëria, ku popullsia po ulet vit pas viti për shkak të emigrimit, nuk ka pse paguan dhjetëra deputetë që parazitojnë për 4 vite.

Ndoshta numri i tyre duhet ulur në 100, por me kushtin që edhe këta të zgjidhen me lista të hapura, për të mos u bërë pjesë e pazareve politike të kryetarëve të partive.