Ka nisur largimi i drejtuesve të institucioneve shtetërore në varësi të ministrive, pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama për ndryshime në nivelet drejtuese të administratës publike.
Sipas informacioneve të bëra publike, dorëheqjet e para vijnë nga tre institucione të rëndësishme që lidhen me administrimin fiskal dhe shërbimet ndaj bizneseve.
Në mesin e drejtuesve që kanë paraqitur dorëheqjen janë Besmir Beja, në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Ilir Binaj, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, si dhe Etugert Llazi, drejtues i Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB).
Për momentin, nuk është bërë e qartë se cilët drejtues të tjerë mund të preken nga ky proces dhe kush do të emërohet në vend të zyrtarëve që kanë dhënë dorëheqjen.
Në ditët në vijim pritet të shihet nëse ndryshimet do të kufizohen te këto institucione apo do të shtrihen edhe në struktura të tjera të administratës publike.