KE nxjerr blof Ramën, thotë se vendimet për kufizimin e lëvizjes u takojnë vendeve anëtare

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi të mërkurën një paketë masash legjislative dhe administrative ndaj personave të përfshirë në protesta të dhunshme, mes të cilave edhe kufizimin e hyrjes së tyre në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Ky paralajmërim bie ndesh me nenin 38 të Kushtetutës së vendit, e cila parashikon se askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë vendit. Por sipas Komisionit Europian, vendime të tilla bien në kompetencën e vendeve anëtare.

I pyetur nga BIRN nëse është ligjërisht e mundur që t’u kufizohet hyrja në vendet e Bashkimit Evropian protestuesve, pa një vendim individual gjykate, dhe nëse BE-ja do ta konsideronte një praktikë të tillë në përputhje me të drejtat themelore, lirinë e lëvizjes dhe prezumimin e pafajësisë, Komisioni Europian u përgjigj se “këto vendime u takonin shteteve anëtare”.

“Vendimet për lejimin ose refuzimin e hyrjes në territorin e shteteve të veçanta anëtare të BE-së bien në kompetencën e shteteve anëtare përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi të BE-së dhe atë kombëtar,” tha një zëdhënës i Komisionit.

Brukseli thekson se Shqipëria, si vend kandidat, duhet të respektojë legjislacionin kombëtar dhe detyrimet ndërkombëtare për masat që lidhen me lëvizjen e shtetasve të saj. Kjo vlen edhe për nismat që synojnë të kufizojnë lëvizjen e personave të përfshirë në veprimtari të dhunshme.

Komisioni komentoi gjithashtu mbi gjetjet e Avokati i Popullit, monitorimi i të cilit konstatoi sipas raportit të fundit ‘probleme serioze’ në trajtimin e protestuesve të ndaluar nga policia nëpër komisariate; mbipopullim të dhomave të sigurisë, ankesa për trajtim jo të duhur të të miturve dhe dhunë dispropocionale të policisë.

“BE-ja do të vazhdojë të monitorojë nga afër angazhimin e Shqipërisë për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore në kontekstin e negociatave të anëtarësimit,” tha Komisioni përmes zëdhënësit.

Në të njëjtin qëndrim, Komisioni nënvizon se “të marrësh pjesë në protesta paqësore është një e drejtë themelore në të gjitha vendet demokratike”, ndërsa shton se “dhuna nuk ka vend” dhe se autoritetet kombëtare janë kompetente për ruajtjen e rendit publik dhe zbatimin e ligjit.

Komisioni i referohet një qëndrimi të mëparshëm zyrtar për protestat në Shqipëri ku dënohen aktet e dhunës, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike e private.

Në këtë qëndrim, KE thekson se përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi përmes procedurave ligjore, ndërsa reagimi ndaj dhunës duhet të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin./BIRN