PS kërkon përjashtimin e 20 deputetëve demokratë, Bardhi: Nuk ia mbyllni dot gojën opozitës

Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin e 20 deputetëve të opozitës, për shkak të tensioneve të krijuara këtë të enjte, gjatë seancës plenare,

Lidhur me kërkesën e PS, ka reaguar kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili akuzon mazhorancën se po vepron nga frika e qytetarëve dhe e opozitës, ndërsa thekson se deputetët demokratë nuk do të heshtin dhe nuk do të tërhiqen nga beteja politike.

Sipas Bardhit, Kuvendi nuk është pronë e pushtetit dhe opozita nuk është në Kuvend me lejen e qeverisë, por me mandatin e qytetarëve.

Reagimi i Gazment Bardhit: 

Kanë humbur qetësinë, kanë humbur arsyen dhe po tregojnë hapur frikën nga qytetarët dhe opozita!

Përjashtimi i 20 deputetëve të PD-së nga Kuvendi është një akt i rëndë agresioni politik dhe një përpjekje e hapur për të goditur opozitën dhe për të mbytur zërin e qytetarëve që ajo përfaqëson.

Ata që qytetarët i kanë refuzuar dhe i kanë shpallur të padëshiruar, sot kërkojnë të përjashtojnë nga Kuvendi përfaqësuesit e opozitës. Ky është kulmi i arrogancës dhe i shpërfilljes së demokracisë parlamentare.

Kuvendi nuk është pronë e pushtetit dhe opozita nuk është në Kuvend me lejen e qeverisë, por me mandatin e qytetarëve! Ndryshe nga deputetët vasalë të klaneve kriminale, mbi të cilët rëndojnë akuza dhe dyshimet për lidhje me krimin e organizuar apo akte korrupsioni, deputetët e PD-së janë aty për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, për të denoncuar abuzimet dhe për t’i kërkuar llogari një pushteti që kërkon të sundojë pa kundërshtim.

Përjashtimi i deputetëve nuk e mbyll gojën e opozitës, nuk e fshin të vërtetën dhe nuk e ndal betejën për demokracinë. Përkundrazi, çdo përpjekje për të përjashtuar opozitën vetëm sa dëshmon frikën e pushtetit nga fjala e lirë dhe llogaridhënia.

Opozita nuk do të intimidohet, nuk do të heshtë dhe nuk do të tërhiqet përballë asnjë presioni politik. Demokracia nuk mbrohet duke përjashtuar kundërshtarët, por duke respektuar pluralizmin dhe vullnetin e qytetarëve.