Teksa protesta e studentëve ka dalë jashtë çdo parashikimi, kryemininstri Edi Rama e nisi sot ditën me kërcënime ndaj prindërve, por edhe mësuesve.
Në një konferencë për mediat, së bashku me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, Rama tha se familjet e të miturve që marrin pjesë në aktet e dhunës do të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara.
Ndërkohë kërcënoi edhe mësuesit, që sipas tij nxjerrën nxënësit nga shkolla.
“Ajo mësuese dhe ata mësues nuk kanë për ta parë më derën e shkollës dhe nuk do të marrin më asnjë lloj roli si punonjës të shtetit, kurrë më në shtet”- u shpreh Rama.
“Po këto të gjitha nuk hyjnë në lupën e lavatriçeve të parave të zeza në media dhe as në gropat e zeza ku fshihen të ardhurat e shqiptarëve, evazion fiskal me miliona e miliona euro, sepse ato janë aty për ta sjellë ditën e gurit dhe të hurit, me gjithfarë shpifjesh dhe me një tam-tam të përditshëm, të përditshëm e të përditshëm, duke i rrokur kokën të gjithë dynjasë për t’i thënë që çdo pakënaqësi që ju krijohet vjen nga ata atje që po ju vjedhin të gjitha çdo ditë.
Mësues, mësues që marrin nxënësit dhe i nxjerrin nga shkolla dhe u thonë: “Bini xhamave të shkollës”, siç ndodhi në Lezhë.
Ajo mësuese dhe ata mësues nuk kanë për ta parë më derën e shkollës dhe nuk do të marrin më asnjë lloj roli si punonjës të shtetit, kurrë më në shtet.
Si mundet një mësues t’i thotë nxënësit të thyejë xhamin e shkollës? Çfarë është kjo lëvizje për ta bërë Shqipërinë më të mirë, më europiane, më demokratike, më njerëzore?”, tha Rama.