“Policia të ndalë menjëherë dhunën”/ Kapri thirrje prindërve: Mos i lini vetëm fëmijët tuaj! E duan të ardhmen në vendin e tyre

Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri ka reaguar për protestën e gjimnazistëve dhe studentëve që janë ngritur për të tretën ditë me radhë në revoltë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Kapri i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit të ndalë dhunën që po ushtrohet ndaj të rinjve dhe të rejave.

“Sulmet e tyre janë terror dhe do të përgjigjen ligjërisht për këtë”, shprehet deputeti i Mundësia.

Kapri gjithashtu i është drejtuar me një thirrje të gjithë qytetarëve, prindër të të rinjve që janë ngritur në protestë që të mos i lënë vetëm fëmijët e tyre pasi ata janë e ardhmja e këtij vendi.

“Kërkesat për dinjitet, drejtësi dhe mundësi na prekin të gjithëve. Mos i lini vetëm. Studentët duan të kenë një të ardhme, këtu në vendin e tyre. E ardhmja për të cilën po ngrihen është edhe e ardhmja e të gjithë shqiptarëve”, shprehet Kapri.

Reagimi i plotë i Erald Kaprit:

Prindër, mos i lini vetëm fëmijët tuaj! Qëndroni pranë tyre, ngrini zërin bashkë me ta.

Fermerë, mjekë, mësues, pedagogë, sipërmarrës e punëtorë: dilni në krah të tyre!

Kërkesat për dinjitet, drejtësi dhe mundësi na prekin të gjithëve.

Mos i lini vetëm. Studentët duan të kenë një të ardhme, këtu në vendin e tyre.
E ardhmja për të cilën po ngrihen është edhe e ardhmja e të gjithë shqiptarëve.

Policia e Shtetit të ndalë menjëherë dhunën, të ndalë rrëmbimet e gjimnazistëve, të mos verë dorë, të garantojë rendin dhe institucionet.

Sulmet e tyre janë terror dhe do të përgjigjen ligjërisht për këtë.