Teksa nesër në Kuvend pritet të votohet projektligji i Partisë Socialiste për reformën Territoriale, Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë e Opozitës i është drejtuar me një letër urgjente Këshillit të Europës.
Në letër, Shoqata i kërkon Këshillit të Europës dhe Kongresit të Autoriteteve Vendore që të ndërhyjnë përpara miratimit në Kuvend.
Shoqata ngre shqetësimin se procesi për riorganizimin territorial po zhvillohet në mënyrë të njëanshme, pa respektuar konsultimin me qytetarët dhe pa marrë në konsideratë qëndrimet e këshilltarëve vendorë.
Shoqata paralajmëron se çështja nuk lidhet vetëm me interesat e banorëve të këtyre bashkive, por edhe me respektimin e standardeve dhe parimeve europiane të demokracisë lokale.
Sipas shoqatës, miratimi i një riorganizimi të tillë pa konsultimin e duhur do të dëmtonte jo vetëm interesat e komuniteteve vendore, por edhe besueshmërinë e Shqipërisë në zbatimin e parimeve europiane të vetëqeverisjes lokale.
Kujtojmë se drafti i PS parashikon shkrirjen e 15 bashkive, nga 61 në 46. Ndërkohë për votimin e këtij drafti duhen 84 vota, teksa nuk dihet nëse PS do t’i sigurojë, pasi dy prej deputetëve të majtë, Erion Braçe dhe Vullnet Sina kanë dalë kundër.