Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Groenlanda kanë arritur një marrëveshje që i hap rrugë SHBA-së për të zhvilluar një prani të konsiderueshme ushtarake në Groenlandë, ndërsa ndalon kundërshtarët e SHBA-së të ndërtojnë bazat e tyre në ishull, deklaroi të premten presidenti amerikan Donald Trump.
Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan shkroi se asnjë nga kundërshtarët e SHBA-së nuk do të mund të kryejë investime të ndjeshme në ishull pa miratimin e Shteteve të Bashkuara dhe se marrëveshja nuk ka afat skadimi.
“Me udhëzimin tim, ne punuam me përfaqësuesit e Danimarkës dhe Groenlandës për të garantuar që Shtetet e Bashkuara të kenë PËRGJITHMONË aftësinë e plotë për të bërë atë që është e nevojshme në Groenlandë, për të garantuar dhe mbrojtur sigurinë e Groenlandës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkroi Trump.
Më herët të premten, Reuters raportoi ekskluzivisht se SHBA-ja dhe Danimarka ishin pranë arritjes së një marrëveshjeje që do të sillte një prani më të madhe ushtarake amerikane në Groenlandë, territor autonom i Danimarkës, por që do të ishte shumë larg synimit të kahershëm të Trump për ta marrë ishullin nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara.
SHBA-ja gëzon tashmë të drejta pothuajse të plota për fluturimet mbi territor dhe vendosjen e forcave ushtarake në Groenlandë, në bazë të një traktati të vitit 1951.
Njoftimi i Trump sugjeron se ai ishte gjithsesi i kënaqur me rezultatin e negociatave dhe se, të paktën në të ardhmen e afërt, mund të mos e rikthejë pretendimin e tij për territorin. Ai tha, pa dhënë detaje të mëtejshme, se SHBA-ja së shpejti do të vendoste një prani të madhe ushtarake në ishull, ku aktualisht ndodhet një bazë e Forcave Hapësinore amerikane në veriperëndimin e largët të Groenlandës.
“Ky është një ëndërr e bërë realitet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Trump.
PËRMASAT E MARRËVESHJES MBETEN TË PAQARTA
Zyra e kryeministrit danez deklaroi të premten se marrëveshja do të forconte sigurinë në Atlantikun e Veriut dhe në Arktik.
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha në një deklaratë se marrëveshja merrte parasysh interesat e Groenlandës dhe rolin e ishullit arktik në bashkëpunimin ndërkombëtar.
“Kjo na sjell dobi të gjithëve”, tha ai.
Deri të premten në mbrëmje, shumë aspekte të marrëveshjes mbeteshin të paqarta, përfshirë faktin nëse si rezultat i saj do të ndërtoheshin baza të reja amerikane. Postimet e Trump në Truth Social lidhur me negociatat ose marrëveshjet shpesh nuk përmbajnë kontekst të mjaftueshëm apo detaje konkrete.
Imran Bayoumi, një ish-zyrtar i Pentagonit, i cili tashmë punon në institutin Atlantic Council, tha se do të ishte diçka e re nëse SHBA-ja do të mund të ndërtonte baza pa miratimin e Groenlandës apo Danimarkës. Megjithatë, sipas tij, në pjesën më të madhe “duket se Uashingtoni mund t’i kishte arritur shumë prej këtyre objektivave përmes diplomacisë dhe dialogut, pa e tensionuar marrëdhënien më të gjerë SHBA-NATO”.
Gjithashtu mbetej e paqartë se si do të pritej marrëveshja në Groenlandë, territor autonom i Danimarkës. Banorët e ishullit synojnë pavarësinë dhe kanë reaguar me shqetësim ndaj përpjekjeve të SHBA-së për të ushtruar kontroll mbi territorin.
Në një deklaratë të veçantë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se marrëveshja “në mënyrë të përhershme dhe të plotë” adresonte shqetësimet e Uashingtonit për sigurinë kombëtare në lidhje me ishullin.
“Groenlanda do të jetë përgjithmonë pjesë e hapësirës strategjike të mbrojtjes së Amerikës së Veriut dhe do të përjashtojë çdo kundërshtar prej saj dhe zonës përreth”, shkroi ai.
Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, i cili foli në kushte anonimiteti për të diskutuar termat specifikë të marrëveshjes, tha se ajo ndalon vendet jashtë NATO-s të ndërtojnë baza në Groenlandë dhe lejon vetëm SHBA-në dhe aleatët e saj të kryejnë “investime të ndjeshme”, pa specifikuar natyrën e tyre.
Sipas zyrtarit, marrëveshja i garanton SHBA-së të drejta të përhershme për akses, bazim të forcave dhe fluturime mbi territorin e Groenlandës. Këto të drejta do të vazhdonin të zbatoheshin edhe nëse Groenlanda do të bëhej e pavarur.