Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të hënën se Shtetet e Bashkuara kanë tashmë mekanizmat e nevojshëm ligjorë për të rregulluar dhe ndëshkuar kompanitë e inteligjencës artificiale, duke minimizuar shqetësimet e ngritura së fundmi nga drejtues të industrisë për rreziqet e mundshme të teknologjisë.
“Kontrolli i vetëm ose ‘barrierat mbrojtëse’ që i duhen inteligjencës artificiale është një PRESIDENT I FORTË DHE I ZGJUAR (me IQ të lartë!), dhe SHBA-ja e ka një të tillë, madje me tepricë!”, shkroi Trump në platformën Truth Social.
Ai shtoi se dyshimet dhe pasiguria rreth zhvillimit të inteligjencës artificiale mund t’i shërbejnë Kinës.
“Ne tashmë kemi kompetenca të jashtëzakonshme PENALE dhe RREGULLATORE mbi këto kompani! Po zhvillohet një KOMPlOT I SËMURË kundër AI-së dhe qendrave të të dhënave, dhe e vetmja palë që përfiton prej tij është Kina”, deklaroi Trump.
Shqetësimet për rreziqet që mund të sjellë inteligjenca artificiale u shtuan javën e kaluar, pasi studiuesi i Anthropic, Jacob Coxon, njoftoi dorëheqjen e tij. Ai tha se njerëzit që po ndërtojnë sistemet e AI-së besojnë seriozisht se teknologjia mund të shkaktojë pasoja katastrofike, deri në rrezikimin e njerëzimit, brenda fundit të kësaj dekade.
Të hënën, aksionet e kompanive të lidhura me inteligjencën artificiale ranë ndjeshëm në tregjet botërore, pasi drejtues të disa prej kompanive më të mëdha të sektorit kërkuan një ritëm më të kontrolluar në zhvillimin e kësaj teknologjie.
Senatori demokrat Mark Warner, nga Virginia, një prej figurave kryesore në Kongres për çështjet e teknologjisë, zhvilloi gjatë fundjavës biseda me CEO-n e Anthropic, Dario Amodei, dhe CEO-n e OpenAI, Sam Altman, lidhur me shqetësimet për sigurinë e AI-së, bëri të ditur zëdhënësi i tij për Reuters.
Të shtunën, Amodei prezantoi një kuadër me tre hapa, që synon të përcaktojë një ritëm më të kontrolluar të zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe të krijojë më shumë kohë për menaxhimin e rreziqeve të saj. Propozimi u mbështet menjëherë edhe nga disa drejtues të tjerë të kompanive të mëdha të AI-së, përfshirë Elon Musk, drejtuesin e xAI, dhe Sam Altman të OpenAI.
Trump tha se mekanizmat e administratës së tij për të garantuar sigurinë e AI-së ishin përdorur tashmë ndaj Amodeit.
“Administrata Trump ka ndaluar ‘njerëzit’ e AI-së të bëjnë gjëra të këqija, ose potencialisht të këqija, si Dario (Anthropic!), i cili tani po pretendon të jetë një ‘engjëll i vogël perfekt’ — dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Trump.
Presidenti republikan ka shmangur në përgjithësi retorikën alarmiste për inteligjencën artificiale dhe gjatë mandatit të dytë ka mbështetur gjerësisht kompanitë e sektorit.
Trump pritet të takohet javën e ardhshme në Washington me presidentin kinez Xi Jinping. Reuters ka raportuar më herët se dy vendet po planifikonin gjithashtu një takim të veçantë në mesin e shtatorit, ku do të diskutoheshin rreziqet e inteligjencës artificiale dhe që do të drejtohej nga zyrtarë të niveleve më të ulëta qeveritare.