Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja e rëndë e regjistuar në Vlorë ku pronari i hotel Regina, Vasil Bedinaj u kërcënua në biznesin e tij nga disa persona.
Burime për mediat bëjnë me dije se biznesmeni Luan Muça është personi që dyshohet se është përfshirë në një konflikt me Bedinajn.
Muça, pronari i delta Group dhe i “Deutsch Color”, ka qenë në ambientet e hotelit të Bedinajt në momentin kur ka ndodhur përplasja. Ndërkohë, personat e armatosur raportohet se kanë qenë punonjës të “SWAT Security”, një kompani private sigurie në pronësi të Madrit Lleshaj.
Konflikti mes Muçës dhe Bedinajt dyshohet se ka ndodhur për shkak të një prone në bregdet, Palasë, ku të dy kanë interesa për të zhvilluar bizneset e tyre.
Policia po vijon kontrollet dhe hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes
“Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli. Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.
Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje”, njoftoi Policia.