Një 20-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se ka kryer 8 vjedhje në subjekte të ndryshme brenda një jave, ndërsa ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për të njëjtën vepër penale.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në bazë të kallëzimeve të disa shtetasve, për vjedhje në subjektet që kishin në pronësi/administrim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me shërbimet e komisariateve të tjera në territoret e të cilave ishin kryer vjedhje, finalizuan operacionin e koduar “Multiple”, gjatë të cilit u zbardhën 8 raste në këtë fushë dhe u kap autori i dyshuar i tyre, shtetasi O. H., 20 vjeç.
Nga këto veprime dyshohet se 20-vjeçari, gjatë periudhës 05.08.2026–13.08.2026, ka vjedhur para dhe produkte, në 8 subjekte. Gjatë verifikimeve të mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Hetimet vijojnë për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer shtetasi O. H.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.