Avioni i ri zjarrfikës nis misionin në Mallakastër, do të përdoret edhe për trajnimin e pilotëve shqiptarë

Operacioni për shuarjen e zjarrit në Mallakastër po mbështetet nga avioni Air Tractor AT-802, i cili mbërriti në Shqipëri në kuadër të kontratës së qeverisë shqiptare për blerjen e tre mjeteve ajrore të këtij tipi për Forcën Ajrore.

Avioni, i ardhur të martën po operohet aktualisht nga pilotët e kompanisë furnizuese, ndërsa në fazën e ardhshme pilotët shqiptarë do të zhvillojnë stërvitje praktike për përdorimin e tij. Në ditët në vijim pritet të mbërrijë edhe avioni i dytë.

Tre avionët e rinj pritet t’i bashkohen zyrtarisht flotës së Forcës Ajrore shqiptare në fund të këtij viti, duke rritur kapacitetet e vendit për përballimin e emergjencave nga zjarret.

Ndërkohë, operacioni në Mallakastër vijon prej dy ditësh. Përveç avionit Air Tractor, në terren janë angazhuar edhe helikopterë të Forcës Ajrore, si dhe droni Bayraktar, i cili përdoret për identifikimin dhe monitorimin e vatrave aktive të zjarrit.

Flakët, të përhapura fillimisht në fshatin Riban, gjatë natës kanë avancuar drejt masivit pyjor të Lofkëndit dhe zonës së fshatit Ngraçan. Kushtet e vështira të terrenit, bimësia e dendur dhe era kanë vështirësuar ndërhyrjen e forcave në tokë.

Banorët që u evakuuan një ditë më parë janë rikthyer në banesat e tyre, ndërsa vlerësimet paraprake tregojnë se zjarri ka përfshirë rreth 15 hektarë sipërfaqe pyjore.