Reuters: SHBA ka konsumuar pothuajse të gjithë stokun e raketave precize me rreze të gjatë gjatë luftës me Iranin

Shtetet e Bashkuara kanë përdorur pothuajse të gjithë stokun e raketave të tyre precize me rreze të gjatë gjatë pesë muajve të konfliktit me Iranin, duke ngritur shqetësime serioze për aftësinë e ushtrisë amerikane për t’iu përgjigjur krizave të tjera të mundshme. Lajmi bëhet i ditur nga Reuters, duke cituar katër burime të njohura me të dhënat.

Sipas dy prej burimeve, ushtria amerikane ka konsumuar “praktikisht të gjitha” raketat tokë-tokë të tipit ATACMS (Army Tactical Missile Systems) dhe PrSM (Precision Strike Missile), armë që konsiderohen ndër më të rëndësishmet për goditje të sakta nga distanca të mëdha.

Këto raketa, secila me një kosto që tejkalon 1 milion dollarë, kanë luajtur rol kyç jo vetëm në operacionet amerikane, por edhe në mbështetjen ushtarake për Ukrainën, e cila i ka përdorur për të goditur objektiva brenda territorit rus. Ndërkohë, sistemi PrSM përfaqëson gjeneratën e re të raketave që pritet të zëvendësojë gradualisht ATACMS.

Burimet nuk kanë bërë të ditur numrin e raketave që kanë mbetur në arsenalin amerikan, por theksojnë se reduktimi i stokut mund të kufizojë aftësinë e SHBA-së për të frenuar kundërshtarë si Rusia dhe Kina në rast të përshkallëzimit të tensioneve.

Sipas Reuters, administrata e presidentit Donald Trump zgjodhi të mbështetej gjerësisht në këto raketa me precizion të lartë për të shmangur misionet më të rrezikshme me avionë luftarakë mbi territorin iranian. Si pasojë, nëse Uashingtoni vendos të ndërmarrë sulme të reja në shkallë të gjerë, mund të detyrohet të përdorë më shumë bombardime ajrore me pilotë.

Megjithatë, një tjetër burim i njohur me situatën deklaroi se Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka qenë në gjendje të plotësojë pjesërisht rezervat duke transferuar municione nga depot ushtarake amerikane në rajone të tjera të botës.

I pyetur nga Reuters, Shtëpia e Bardhë publikoi një deklaratë të presidentit Trump, i cili hodhi poshtë shqetësimet për mungesën e armëve.

“SHBA ka shumë më tepër municione se çdo vend tjetër në botë, madje më shumë sesa na nevojiten. Kompanitë tona të mbrojtjes po prodhojnë më shumë municione se kurrë më parë dhe po zgjerojnë kapacitetet e tyre me ritme rekord”, deklaroi Trump.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se, ndonëse prodhimi i disa llojeve të municioneve ka arritur nivele rekord, rezervat mund të mos jenë të mjaftueshme për të përballuar një konflikt të zgjatur.

Raporti i Reuters citon gjithashtu një analizë të Center for Strategic and International Studies (CSIS), sipas së cilës deri në fund të korrikut SHBA kishte konsumuar rreth 65% të raketave mbrojtëse Patriot, ndërsa rezervat e interceptorëve të sistemit THAAD ishin ulur me të paktën 38% krahasuar me fillimin e luftës.

Po ashtu, një nga burimet tha se SHBA ka përdorur edhe pothuajse gjysmën e stokut global të raketave lundruese Tomahawk, të cilat lëshohen nga anijet luftarake dhe konsiderohen ndër armët kryesore të marinës amerikane për goditjen e objektivave të mbrojtur fort.

Sipas Reuters, të dhënat mbi rënien e rezervave kanë qenë objekt diskutimesh intensive brenda administratës amerikane gjatë ditëve të fundit, ndërsa zyrtarët po vlerësojnë se për sa kohë SHBA mund të vazhdojë operacionet ushtarake kundër Iranit pa cenuar gatishmërinë për t’u përballur me kriza të tjera ndërkombëtare.