Zbardhet drafti i PS për Reformën Territoriale, shkrihen 15 bashki

Është zbuluar propozimi i Partisë Socialiste për Reformën Territoriale. Sipas propozimit të PS numri i bashkive ulet nga nga 61 në 46

Bashkitë që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas.

Ndërkohë socialistët propozojnë që  Shqipëria të ruajë ndarjen me 12 qarqe.

Modeli i ri ruan bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill, një administratë dhe një buxhet të vetëm. Ndryshimi kryesor është krijimi i një niveli të ri organizimi vendor, të quajtur “Qyteti”, duke zëvendësuar skemën aktuale “Bashki – Njësi Administrative” me strukturën “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”.

Nëse miratohet, reforma do të krijojë një strukturë të re me 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative. Po ashtu, 20 nga bashkitë e reja do të kenë më shumë se një qytet në përbërje.