Braho flet për hetimet ndaj Ballukut: Çështja me prioritetin më të lartë për SPAK

Hetimet për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku janë çështja me prioritetin më të lartë për SPAK.

Kështu u shpreh kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho gjatë një takimi informues me gazetarët, duke thënë se në hetim janë angazhuar 9 oficerë të BKH-së dhe 3 prokurorë, për shkak të nivelit të lartë të subjektit.

Ndërkohë i pyetur për një kërkesë të dytë të SPAK drejtuar Kuvendit për arrestimin e Ballukut, Braho tha se kjo do të varet nga rrethanat e reja që kanë dalë nga hetimi.

Kontrollet për çështjen Balluku, konkretisht për çfarë po kryhen? A do t’i drejtoheni sërish Parlamentit me një kërkesë të re?

Klodian Braho: Kjo është një çështje nën hetim dhe siç e dini nuk mund të jap informacion. Është çështja me prioritetin më të lartë për SPAK kohët e fundit. Në hetim janë angazhuar 9 oficerë të BKH-së dhe 3 prokurorë, për shkak të nivelit të lartë të subjektit. Hetimet janë në vijim. Do të vijë momenti kur ato të përfundojnë dhe atëherë do të jemi më të plotë në lidhje me atë çfarë ka ndodhur. Janë kryer dhe po kryhen shumë veprime hetimore. Bëhet fjalë për një dosje të ngjeshur.

SPAK ka qenë i qartë për atë çfarë ka kërkuar dhe arsyet pse e ka kërkuar. U mor një vendim, sigurisht jo ai që ne kërkuam. Mund të mos jemi dakord me të, por vendimi është detyrues për ne.

Megjithatë, hetimet kanë vazhduar, madje kanë ecur edhe më tej. Nëse do të bëhet apo jo një kërkesë e re, kjo do të jetë një vendimmarrje e përbashkët. Ajo do të varet nga rrethanat e reja që kanë dalë ose që mund të dalin gjatë hetimit, por edhe nga vendimi që ka marrë Parlamenti. Pra, do të varet nga fakti nëse rrethanat e reja janë të mjaftueshme për të kapërcyer argumentet mbi të cilat u mbështet vendimi i Parlamentit.