Organizatat ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e medias dhe të drejtat e gazetarëve kërkuan të mërkurën që autoritetet shqiptare të marrin masa urgjente për mbrojtjen e gazetarëve dhe të hapësirës qytetare, duke paralajmëruar se zhvillimet e dy muajve të fundit kanë krijuar një klimë gjithnjë e më armiqësore ndaj raportimit të pavarur dhe debatit publik.
Reagimi vjen në një kohë kur gazetarët përballen me presion dhe vështirësi në mbulimin e protestave të përditshme në vend, që nisën dy muaj më parë si kundërshtim ndaj një projekti turistik në zonat e mbrojtur të Zvërnecit, I lidhur me dhëndrin e Trump, dhe u zgjerua në protesta kundër qeverisë.
Organizatat vërejnë se “gazetarët janë përballur me pengim, sulme dhe ndërhyrje të policisë gjatë raportimit”.
“Përdorimi i masave për kontrollin e tubimeve, përfshirë ujin me presion dhe gazin lotsjellës, ka ngritur shqetësime për domosdoshmërinë, proporcionalitetin dhe mbrojtjen e gazetarëve dhe personave të tjerë të pranishëm në tubime”- thuhet në deklaratë.
Në deklaratë shprehet shqetësim edhe për procedurat penale të lidhura me protestat, të cilat ngrenë dyshime për transparencën dhe respektimin e procesit të rregullt ligjor.
Organizatat shohin me shqetësim praktikat e intimidimit ndaj gazetarëve, aktivistëve, organizatave të shoqërisë civile dhe mbrojtësve të mjedisit, të cilët janë identifikuar publikisht, janë vënë personalisht në shënjestër dhe janë paraqitur si të paguar, të kontrolluar politikisht ose të drejtuar nga interesa të huaja.
Këto praktika, theksojnë organizatat, “e bëjnë gjithnjë e më sfidues raportimin, pjesëmarrjen paqësore dhe kritikën publike”.
Gishti drejtohet dhe ndaj zyrtarëve publikë dhe aktorëve të medias, të cilët sipas organizatave, “kanë një përgjegjësi të veçantë që të mos veçojnë publikisht individë ose organizata, të mos vënë në dyshim legjitimitetin e tyre pa prova dhe të mos e paraqesin kritikën, advokimin qytetar dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë si veprimtari politike ose të paligjshme”.
“Një retorikë e tillë nxit ngacmimin dhe dekurajon pjesëmarrjen në debatin publik”- apelojnë ato.
Sipas të dhënave të Rrjetit SafeJournalists, të cituara në deklaratë, 15 nga 27 rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2026 kanë ndodhur vetëm gjatë muajve qershor dhe korrik, periudhë që përkon me përshkallëzimin e protestave.
Deklarata pason një sërë reagimesh të organizatave shqiptare të medias, të cilat gjatë javëve të fundit kanë dënuar incidentet ku gazetarë dhe operatorë televizivë u goditën, u penguan ose u ekspozuan ndaj gazit lotsjellës gjatë raportimit nga protestat. Paralelisht, përfaqësues të qeverisë kanë akuzuar publikisht disa media, gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile për lidhje politike ose financim nga interesa të huaja, akuza që janë kundërshtuar nga organizatat vendase dhe ndërkombëtare të medias.
Nënshkruesit kërkojnë që çdo akt dhune, kërcënimi apo pengimi ndaj gazetarëve të hetohet në mënyrë të pavarur, pavarësisht autorit, dhe paralajmërojnë se incidente të izoluara nuk duhet të përdoren si argument për kufizimin e raportimit mediatik apo të së drejtës për tubim paqësor.
Organizatat i bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të garantojnë sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias, të zbatojnë plotësisht Protokollin e Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve dhe të hetojnë në mënyrë transparente të gjitha rastet e raportuara të dhunës, kërcënimeve, ndalimeve apo përdorimit joproporcional të forcës.
Një tjetër kërkesë lidhet me retorikën e përdorur nga zyrtarët publikë. Sipas deklaratës, autoritetet duhet të shmangin etiketimin politik ose delegjitimimin publik të gazetarëve, mediave të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile pa prova, pasi kjo nxit ngacmimin dhe dekurajon pjesëmarrjen në debatin demokratik.
Deklarata i drejtohet edhe Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, OSBE-së dhe misioneve diplomatike në Tiranë, duke u kërkuar të monitorojnë ndikimin e këtyre zhvillimeve mbi lirinë e medias, lirinë e shprehjes dhe tubimin paqësor dhe t’i reflektojnë ato në vlerësimet për shtetin e së drejtës dhe ecurinë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Progresi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE duhet të vlerësohet në bazë të faktit nëse gazetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët mund të mbikëqyrin ushtrimin e autoritetit publik dhe të marrin pjesë në debatin demokratik pa frikë nga dhuna, frikësimi ose hakmarrja”, thuhet në deklaratë.
Deklarata është nënshkruar nga Balkan Free Media Initiative, European Centre for Press and Media Freedom, European Federation of Journalists, Free Press Unlimited, International Federation of Journalists, Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa, Reporters Without Borders, Reporting Diversity Network, SafeJournalists Network dhe South East Europe Media Organisation. BIRN