Belinda Balluku thirret nga SPAK, ja çfarë pritet t’i komunikohet

Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku është thirrur në SPAK për t’u paraqitur më datë 31 korrik.

Burime për mediat bëjnë me dije se pritet që i komunikohet zgjatja e hetimeve me 3 muaj. Sipas burimeve, zgjatja e afateve është kërkuar për shkak të veprimeve hetimore që ende nuk kanë përfunduar. Prokurorët synojnë të administrojnë prova shtesë, të marrin deklarime dhe të plotësojnë dosjen përpara se të vendosin mbi hapat e mëtejshëm të procedimit.

Ish-ministrja është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për akuza që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe dyshime për shkelje në procedurat e tenderëve për projekte rrugore.

Përveç masës së pezullimit, ndaj Ballukut vijon të jetë në fuqi edhe ndalimi për t’u larguar nga territori i Shqipërisë. Më herët, Kuvendi nuk miratoi kërkesën e SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin e saj, duke bërë që hetimet të vazhdojnë ndërsa ajo mbetet në masat aktuale të sigurisë.