Policia e Shtetit ka vendosur masa të shtuara sigurie në zonën përreth Kuvendit, në prag të protestës së paralajmëruar për këtë të hënë. Godina e Parlamentit është rrethuar nga forca të shumta policore, ndërsa hyrjet kryesore janë bllokuar me kordone sigurie për të kontrolluar lëvizjet në perimetër.
Prania e efektivëve është shtuar në disa pika strategjike të kryeqytetit, përfshirë kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit, zonën pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, Ministrisë së Brendshme, si edhe segmentin që të çon drejt ish-selisë së Partisë Demokratike.
Organizatorët e protestës kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive përpara Kuvendit. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e incidenteve, duke pasur parasysh tensionet e regjistruara gjatë protestës së 23 korrikut, kur pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Ndërkohë, protestuesit kanë nisur të grumbullohen, teksa me thirrjet “parlament i krimit”, “parlament analfabet” dhe “nuk na përfaqësoni”, janë në pritje të kalimit të deputetëve dhe ministrave.