Ka shkuar në dy numri i të vdekurve si pasojë e një aksidenti të regjistruar pasditen e sotme te rrethrrotullimi i TEG-ut, në Unazën e Madhe.
Dy viktimat që ndodheshin në betoniere janë nga Egjipti, por identiteti i tyre nuk është bërë ende i ditur.
Ndërkohë i plagosur ka mbetur edhe drejtuesi i mjetit, që u përplas nga betonierja, që më pas ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan
28-vjeçari është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë po punohet për identifikimin e dy viktimave.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 16:20, te rrethrrotullimi i TEG-ut, një kamion (pompë betoni) është përplasur me një automjet.
Si pasojë e përplasjes, kamioni (pompë betoni) ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.
Për pasojë, njëri prej personave që udhëtonte në kamion (pompë betoni) dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër është transportuar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dy personat që ndodheshin në kamion (pompë betoni) janë ende të paidentifikuar dhe po punohet për përcaktimin nëse personi që ka humbur jetën në vendngjarje ishte drejtuesi i kamionit apo ishte personi që ndodhet në spital.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.