Eurodeputeti çek kërkon pezullimin e negociatave me Serbinë: Retorika e ministres është e papranueshme

Eurodeputeti çek Tomas Zdechovsky ka reaguar me tone të forta ndaj deklaratave të ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, duke vlerësuar se gjuha e përdorur prej saj bie ndesh me parimet mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

Sipas Zdechovskýt, deklaratat e ministres serbe janë aq të rënda, saqë duhet të ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e integrimit evropian të Serbisë. Ai u shpreh se nëse ky qëndrim përfaqëson politikën zyrtare të Beogradit, atëherë nuk ka vend që negociatat e anëtarësimit të vijojnë.

Eurodeputeti e krahasoi retorikën e Paunoviçit me relativizimin e krimeve të regjimit nazist pas Luftës së Dytë Botërore, duke e cilësuar një qasje të tillë të papranueshme për çdo shtet që synon të bëhet pjesë e familjes evropiane.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të mbajë një qëndrim të prerë dhe të mos lejojë që deklarata me përmbajtje nacionaliste apo nxitëse të kalojnë pa pasoja politike.

Reagimi i Zdechovskýt vjen në një kohë kur ministrja serbe Snezhana Paunoviç është përballur me kritika nga aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë për deklaratat e saj lidhur me Kosovën, të cilat janë konsideruar si provokuese dhe në kundërshtim me frymën e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal.