Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekursin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “pezullim nga ushtrimi i funksioneve”.
Në rekursin e saj, Balluku argumentoi se masa ishte bërë e pavlefshme, pasi ajo nuk ushtron më funksione publike. Megjithatë, Kolegji Penal vlerësoi se nuk kishte vend për ndryshimin e vendimit të mëparshëm dhe e rrëzoi kërkesën.
Ish-ministrja është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për akuza që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe dyshime për shkelje në procedurat e tenderëve për projekte rrugore.
Përveç masës së pezullimit, ndaj Ballukut vijon të jetë në fuqi edhe ndalimi për t’u larguar nga territori i Shqipërisë. Më herët, Kuvendi nuk miratoi kërkesën e SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin e saj, duke bërë që hetimet të vazhdojnë ndërsa ajo mbetet në masat aktuale të sigurisë.