Ndërtimi i hekurudhës Tiranë – Durrës është kthyer në një sfidë për qeverinë Rama, që prej disa vitesh jep afate të ndryshe për përfundimin e punimeve.
Pasi Belinda Balluku i tha Ursula Von der Leyen-it se në fund të vitit 2024 hekurudha do të ishte funksionale, tashmë është radha e një tjetër ministri që të japë premtimin e radhës.
Për Enea Karakaçin, që zëvendësoi Ballukun si ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës, hekurudha do të jetë plotësisht efektive dhe në shërbim të qytetarëve në fund të vitit 2027.
Sipas tij, punimet civile në këtë segment kanë përfunduar, sistemet e sinjalizimit janë drejt finalizimit, ndërsa me marrëveshjen me Bankën Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim, do të nisë edhe elektrifikimi i plotë i hekurudhës.
“Projektligji që paraqesim sot ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjes me Bankën Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim për elektrifikimin e linjës Tiranë-Durrës dhe stacionit të Rinasit.
Me këtë financim bëhet i mundur elektrifikimi i plotë i linjës, ndërtimi i infrastrukturës energjetike dhe ndërtimi sipas standardeve të BE-së, duke sjellë për herë të parë një shërbim hekurudhor me trena elektrikë dhe tërësisht elektrikë.
Punimet civile tashmë kanë përfunduar, sistemet e sinjalizimit janë drejt finalizimit, stacionet e reja po ndërtohen dhe, me finalizimin e kësaj marrëveshjeje, nis edhe faza e elektrifikimit.
Objektivi ynë është që deri në fund të vitit 2027 qytetarët të kenë në dispozicion një linjë hekurudhore moderne.
Ky projekt nuk është një investim i veçuar, pasi është pjesë e një programi të gjerë. Paralelisht me projektin Tiranë-Durrës dhe Aeroportin “Nënë Tereza”, po ecim me ndërtimin e hekurudhës drejt Stacionit Qendror të Tiranës, si dhe me ndërtimin e sistemit modern të mirëmbajtjes së trenave”, u shpreh ministri.