Zbulohen armë dhe granata në Pyllin e Sodës, dyshohet se i përkasin periudhës së trazirave të ’97-ës

Një sasi armësh dhe municionesh është zbuluar paraditen e kësaj të premteje në zonën e Pyllit të Sodës në Vlorë, pranë kanalit të hidrovorit.

Burime paraprake bëjnë me dije se në vendngjarje janë gjetur katër granata dore dhe dy armë automatike, të cilat dyshohet se kanë qëndruar të fshehura në këtë zonë prej shumë vitesh. Hetuesit po verifikojnë mundësinë që ato të jenë lënë aty që prej ngjarjeve të vitit 1997.

Pas sinjalizimit, forcat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke vendosur perimetrin e sigurisë dhe duke kufizuar lëvizjet në zonë deri në përfundimin e procedurave të nevojshme.

Sipas kontrolleve të para, armatimi i gjetur ka qenë i mbështjellë dhe nuk ka paraqitur rrezik të menjëhershëm për qytetarët. Në terren pritet të ndërhyjnë specialistët e forcave xheniere për transportimin dhe asgjësimin e municioneve.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të përcaktuar origjinën e armëve dhe rrethanat në të cilat ato kanë përfunduar në këtë zonë.