Kërcënimet ndaj Marjana Koçekut, Igli Hasani i injoron: Nuk është puna ime kush zgjedh Instagramin për të bërë deklarata

Socialistët duket se i kanë ndarë të gjitha rrugët me Marjana Koçekun, pasi deputetja e Shkodrës vendosi të largohet nga PS për të dalë si e pavarur.

Edhe pas denoncimit të saj në rrjetet sociale se grupi “Bajri” i ka kërcënuar familjen, socialistët nuk kanë shfaqur asnjë lloj solidariteti me kolegen e tyre.

Në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, deputetja Albana Vokshi ngriti pyetjen se sa të sigurt janë qytetarët kur krimi i organizuar arrin të kërcënojë edhe një deputete.

Përgjigjen ia dha kryetari i Komisionit, Igli Hasani, i cili i pashqetësuar fare për kërcënimet ndaj Koçekut, e injoroi atë duke thënë se nuk merret me ata që zgjedhin Instagramin për të bërë deklarata.

“Kushdo që ndihet e kërcënuar, kushdo që ka indicie duhet t’i drejtohet organeve, Policisë së Shtetit, nëse ka edhe një indicie. Se kush zgjedh instagramin për të bërë deklarata, kjo nuk është puna ime fare. Duhet t’i drejtohen Policisë së Shtetit”, tha Hasani.