Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar të enjten se SHBA-ja do ta godasë Iranin sonte “shumë rëndë”.
Në një postim në Truth Social, pas dy ditësh sulme radhazi ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, Trump ka thënë po ashtu se SHBA-ja do ta marrë kontrollin e plotë të infrastrukturës së naftës të Iranit, ashtu siç ka bërë me Venezuelën.
“Shtetet e Bashkuara do ta godasin Iranin (marina, forcat ajrore, radari, armët kundërajrore dhe të gjitha format e tjera të mbrojtjes së të cilit, së bashku me pjesën më të madhe të aftësive të tij sulmuese, janë zhdukur), shumë fort sonte. Në një moment në të ardhmen jo shumë të largët, ne do të marrim ishullin Kharg dhe pika të tjera të infrastrukturës së naftës, dhe do të marrim kontrollin e plotë të tregjeve të tyre të naftës dhe gazit, ashtu siç kemi bërë me Venezuelën, e cila po funksionon shkëlqyeshëm si për Venezuelën ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Trump.
Ndërkohë autoriteti i ri detar iranian konfirmoi “mbylljen e plotë” të Ngushticës së Hormuzit “deri në një njoftim të ri”, pasi Garda Revolucionare kishte njoftuar këtë vendim gjatë natës.
“Për shkak të tensioneve të shkaktuara nga agresioni i forcave amerikane në rajon dhe njoftimit të bërë mbrëmë nga forcat e armatosura iraniane, Ngushtica e Hormuzit do të jetë e mbyllur deri në një njoftim të ri”, deklaroi Autoriteti i Ngushticës së Gjirit Persik në një komunikatë të publikuar në rrjetin social X.
Komunikata pason një natë të tensionuar sulmesh në Lindjen e Mesme. Për të dytën natë radhazi ushtritë e SHBA dhe Iranit sulmuan objektiva në shtete të ndryshme të rajonit.