Tirana proteston për të 9-ën dite me radhë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec. Një numër i madh protestuesish u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të vijuar marshimin e tyre para Kryeministrisë.
“Rama në burg, Berisha në burg” si dhe “Rama jep dorëheqjen” janë thirrjet që dëgjohen në kor.
Ndërkohë ajo që u vu re ishte edhe një banderolë e madhe me mbishkrimin: Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët.
Pjesëmarrja në protestën e sotme ishte më e lartë krahasuar me ditët e mëparshme, duke shënuar një mobilizim në rritje të qytetarëve dhe aktivistëve. Protesta po transmetohet live edhe nga agjensia e njohur e lajmeve, Reuters.
Protestuesit kërkojnë anulimin e projektit të ndërtimit në zonën e Zvërnecit, duke e cilësuar atë si ndërhyrje në një zonë të mbrojtur dhe duke akuzuar qeverinë për favorizim të interesave private në dëm të pronës publike.
Kujtojmë se Rama ka theksuar se projekti është në fazë studimi dhe se po punohet nga studio ndërkombëtare arkitekture, ndërsa kundërshton pretendimet që, sipas tij, po qarkullojnë pa bazë faktike.