Komplote, letra dashurie dhe receta të humbura: Inteligjenca artificiale po deshifron sekretet mesjetare

Mesazhe dhe dokumente historike të fshehura pas kodeve të padeshifrueshme gjenden në biblioteka dhe arkiva anembanë botës. Tashmë, inteligjenca artificiale po u jep historianëve një mjet të ri për të zbuluar përmbajtjen e këtyre teksteve misterioze.

Thellë në arkivat e Bibliotekës së Vatikanit, një dorëshkrim enigmatik i shkruar me simbole të çuditshme kishte mbetur i padeshifruar për më shumë se 400 vjet. Faqet e tij të koduara dukeshin se fshihnin receta sekrete “për sëmundjet e trupit të njeriut”, sipas një shënimi të gërvishtur në brendësi të kapakut. Në atë kohë, praktika të tilla mjekësore mbaheshin të fshehta, pasi mund të ngjallnin dyshime apo edhe akuza për magji.

I njohur si “Kodi Borg”, dorëshkrimi prej 408 faqesh ishte pothuajse i pakuptueshëm. Ai ishte shkruar me 34 simbole të pazakonta, të kombinuara me disa shkronja romake dhe një faqe hyrëse në gjuhën arabe. Nuk ekzistonte asnjë çelës i njohur për të zbuluar mesazhin e fshehur. Për më tepër, disa prej faqeve ishin dëmtuar nga koha, duke e bërë deshifrimin edhe më të vështirë.

Megjithatë, falë metodave të të mësuarit automatik – një degë e inteligjencës artificiale – studiuesit arritën ta zbërthenin kodin. Ata zbuluan se teksti përmbante mijëra trajtime të pazakonta mjekësore, si konsumimi i disa gotave verë të kuqe cilësore ose fermentimi i arrëmyshkut në brumë për të luftuar dizenterinë.

“Është si puna e një detektivi, ku çdo simbol, model apo zgjidhje e pjesshme mund të na afrojë me sekretet e dikujt dhe me një botë historike të humbur”, thotë Beáta Megyesi, profesore e linguistikës kompjuterike në Universitetin e Stokholmit dhe pjesë e ekipit që deshifroi tekstin. Edhe me ndihmën e inteligjencës artificiale, procesi ishte i gjatë dhe i mundimshëm.

Sot, Megyesi dhe kolegët e saj po udhëheqin përpjekjet për të shfrytëzuar fuqinë e inteligjencës artificiale në deshifrimin më efikas të kodeve historike, duke hapur rrugën drejt zbulimit të një sasie të madhe informacioni të fshehur, që deri më tani konsiderohej i paarritshëm.

Sipas disa vlerësimeve, rreth 1 për qind e materialeve të ruajtura në arkiva dhe biblioteka në mbarë botën janë plotësisht ose pjesërisht të koduara. Disa nga kodet më të hershme të njohura datojnë që nga Greqia dhe Roma e Lashtë.

Gjuhë të humbura, simbole mashtruese dhe shkrim i palexueshëm

Dokumentet historike të koduara fshehin një gamë të gjerë informacionesh: raporte diplomatike, rituale të shoqërive sekrete, njohuri mjekësore, histori dashurie apo detaje të jetës së përditshme që autorët kanë dashur t’i mbajnë larg syve të të tjerëve. Ky është informacion që mungon në rrëfimet tradicionale historike.

Në disa raste, deshifrimi i këtyre dokumenteve mund të ndryshojë mënyrën se si e kuptojmë historinë. Një shembull i tillë janë letrat e koduara të zbuluara së fundmi, të shkruara nga Maria Stuart, Mbretëresha e Skocisë, gjatë burgimit të saj të gjatë në Angli. Ato zbuluan përfshirjen e saj në komplotet për të rifituar fronin dhe marrëdhënien e tensionuar me djalin e saj, James VI i Skocisë, i cili më vonë u bë Mbreti James I i Anglisë.

Disa kode historike janë relativisht të thjeshta. Kodi Borg, për shembull, përdorte një sistem zëvendësimi, ku çdo simbol korrespondonte me një shkronjë të alfabetit latin. Por shumë kode të tjera janë shumë më të ndërlikuara.

Në disa raste nuk dihet as gjuha origjinale në të cilën është shkruar teksti. Disa autorë shtonin simbole pa kuptim për të hutuar këdo që përpiqej ta lexonte dokumentin, ndërsa në raste të tjera disa simbole të ndryshme përfaqësonin të njëjtën shkronjë.

Kjo e bën procesin e deshifrimit jashtëzakonisht të ngadaltë dhe të mbushur me prova e gabime. Kriptologes Cecile Pierrot dhe ekipit të saj në Institutin Kombëtar Francez për Kërkime në Shkencat Kompjuterike iu deshën gjashtë muaj për të zbuluar çelësin e një letre 500-vjeçare të Perandorit Karl V, e shkruar me 120 simbole të ndryshme në vetëm tri faqe.

Para se të fillojë deshifrimi, studiuesit duhet së pari ta shndërrojnë dorëshkrimin në një dokument dixhital që mund të analizohet nga programet kompjuterike. Shkrimi i vështirë për t’u lexuar dhe zbehja e bojës me kalimin e kohës e komplikojnë edhe më shumë këtë proces.