Zbardhet urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë, terapi hormonale në QSUT për transgjinorët

Ministria e Shëndetësisë ka miratuar udhëzimin që mundëson ofrimin e terapisë hormonale për personat transgjinorë në shërbimin publik shëndetësor në Shqipëri.

Si rregull, terapia mund të nisë nga mosha 16 vjeç, ndërsa në raste të veçanta, dhe vetëm me vlerësim të specializuar, mund të konsiderohet edhe nga mosha 14 vjeç.

“Koha varet nga pjekuria njohëse e adoleshentit dhe aftësia e tij për të pranuar efektet potencialisht të pakthyeshme të trajtimit. Vlerësimi i kësaj është kompleks dhe kërkon bashkëpunimin e plotë të adoleshentit, familjes së tij dhe ekipit të trajtimit. Duhet gjithashtu të merren parasysh ndikimet e mundshme të së trajtimit në shëndetin dhe funksionimin social të fëmijës”, thuhet në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas protokollit, terapia hormonale sjell ndryshime fizike graduale që zhvillohen përgjatë muajve dhe viteve të para të trajtimit.

Tek burrat transgjinorë mund të ndodhin trashja e zërit, rritja e qimeve dhe shtimi i masës muskulore, ndërsa tek gratë transgjinore mund të shfaqet zhvillimi i gjoksit, zbutja e lëkurës dhe reduktimi i qimeve trupore. Shumë prej këtyre ndryshimeve zhvillohen gradualisht gjatë një deri në dy viteve terapi.

Protokolli paralajmëron edhe për rreziqet mjekësore që mund të shoqërojnë terapinë hormonale, si problemet kardiovaskulare, hipertensioni, çrregullimet metabolike apo komplikacionet tromboembolike. Për këtë arsye, pacientët do të monitorohen periodikisht, sidomos gjatë vitit të parë të trajtimit.