Franca do të nisë rimbursimin e barnave për humbjen e peshës si Wegovy dhe Mounjaro, njoftoi të enjten ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist.
Me këtë vendim, Franca bëhet vendi i parë në Europë që mbulon kostot e këtyre lloj barnave.
“Jam mjaft krenare, sepse jemi vendi i parë në Bashkimin Europian që ofron rimbursim të përhershëm në kuadër të mbulimit standard,” tha Rist në televizionin francez.
“Zyrtarisht, rimbursimi do të jetë 65%, por praktikisht pothuajse të gjithë pacientët do të mbulohen plotësisht, pasi kanë sëmundje shoqëruese si hipertensioni apo diabeti,” sqaroi ministrja, duke shtuar se për shumicën dërrmuese të pacientëve rimbursimi do të jetë 100%.
Wegovy, i prodhuar nga kompania daneze Novo Nordisk, dhe Mounjaro i kompanisë Eli Lilly, janë pjesë e një gjenerate të re barnash për humbjen e peshës.
Të njohura si agonistë të receptorit GLP-1, këto barna ndihmojnë në humbjen e peshës duke imituar një hormon që ul oreksin.
Sipas vlerësimeve, deri në fund të janarit më shumë se 70 mijë pacientë në Francë po trajtoheshin me Mounjaro.
Çmimet e larta kanë qenë prej kohësh një problem për aksesin në këto terapi në mbarë botën, përfshirë Francën, ku pacientët paguajnë rreth 300 euro në muaj për injeksionet.
Terapia është e disponueshme në Francë me recetë që prej vitit 2024, por deri tani nuk ishte miratuar për rimbursim nga sistemi kombëtar i sigurimeve shëndetësore.
Në qershor 2025, Franca lejoi që këto barna të përshkruheshin jo vetëm nga specialistët, si endokrinologët, por nga të gjithë mjekët.
Sipas Anketës Kombëtare Epidemiologjike për Mbipeshën dhe Obezitetin për vitin 2024, rreth 18% e popullsisë franceze, ose afërsisht 10 milionë njerëz, vuajnë nga obeziteti.
Në Bashkimin Europian, vlerësohet se 51% e popullsisë mbi 16 vjeç është mbipeshë, ndërsa 17% janë obezë.