Aksidentet rrugore shënuan rritje të lehtë në katër muajt e parë të vitit, ndërsa të dhënat e prillit tregojnë se sjellja e drejtuesve të mjeteve mbetet faktori kryesor pas aksidenteve në trafik.
Të dhënat zyrtare të raportuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se në muajin prill 2026 u regjistruan 132 aksidente rrugore, ku 194 persona mbetën të aksidentuar, të vrarë ose të plagosur.
Gjatë periudhës janar-prill 2026, numri i aksidenteve rrugore u rrit me 0,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas raportit, 89,4% e aksidenteve të regjistruara në prill ndodhën si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.
Grupmosha 25-34 vjeç paraqiti numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 27,3% të totalit të rasteve të regjistruara në këtë periudhë.
Sipas ditëve të javës, numri më i lartë i aksidenteve u shënua të mërkurën dhe të premten, me nga 16,7% secila, ndërsa niveli më i ulët u regjistrua të enjten, me 9,8%.
Ndërkohë, intervali 19:00-24:00 rezultoi periudha më problematike, me 30,3% të totalit të aksidenteve rrugore.
Rritja e lehtë e aksidenteve në 4 mujorin e këtij viti shënon një pikë kthese pas një periudhe me rënie të aksidenteve.
Si rezultat i një serie ngjarjesh të rënda në vend janë propozuar ndryshime për ashpërsimin e masave në Kodin Rrugor. Monitor