Erion Veliajn nuk e shpëton as praktika e ndryshuar e paraburgimit, Gjykata e Lartë e lë në qeli

Gjykata e Lartë ka lënë në burg kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, duke mos ndryshuar vendimin e Apelit të GJKKO-së.

Veliaj bëri rekurs në Gjykatën e Lartë pasi vendimit të Kolegjeve të Bashkuara për të ndryshuar praktikën e paraburgimit, por as ky ndryshim nuk bëri që gjyqtarët ta lirojnë nga qelia.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në burg që prej shkurtit të vitit 2025, teksa mbi të rëndojnë akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Nën hetim së bashku me Veliajn është edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila ka konsumuar edhe veprën penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”., përveç “Korrupsion pasiv”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “pastrim parash”, që rëndojnë edhe mbi Veliajn.

SPAK ka zbardhur skemën korruptive që kryebashkiaku kishte ngritur së bashku me bashkëshorten e tij që ka synuar dhe bërë të mundur në praktikë marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të kryebashkiakut dhe familjes së tij përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.

SPAK nënvizon se Veliaj me firmën e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të dhe këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e Veliajt, kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e tij dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de  facto nga Ajola Xoxa.

SPAK thotë se bashkeshortja e Veliaj, Ajola Xoxa për katër vite ka bërë blerje online duke shpenzuar plot 860 mijë euro për bizhu dhe veshje. Këto shpenzime nuk janë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë së Tiranës dhe personave lidhur me të.

Ndërkohë biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, të cilët akuzohen nga SPAK për “Korrupsion aktiv” kanë dhënë përfitime të parregullta ndaj  Veliajt dhe Xoxës, duke përfituar fonde publike dhe leje ndërtimi në këmbim të shërbimeve të dyshimta dhe transaksioneve të fshehura.