Pentagoni: Ushtarët amerikanë po gjurmohen përmes të dhënave të vendndodhjes

Pentagoni ka pranuar se personeli ushtarak amerikan i dislokuar në zona lufte është vënë në shënjestër përmes përdorimit të të dhënave komerciale të vendndodhjes, duke ngritur alarmin mbi rrezikun që paraqet industria globale e mbikëqyrjes digjitale për sigurinë kombëtare.

Sipas një letre të shpërndarë nga senatori amerikan Ron Wyden, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka marrë “raporte të shumta kërcënimi lidhur me shfrytëzimin nga kundërshtarët të të dhënave komerciale të vendndodhjes për të survejuar ose shënjestruar personelin amerikan në terren”.

Dokumenti, i dërguar më 14 prill, nuk jep detaje të mëtejshme, por zona e përgjegjësisë së CENTCOM përfshin Gjirin Persik, ku forcat amerikane përballen vazhdimisht me ushtrinë iraniane për shkak të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit.

Ligjvënësit amerikanë thanë se kjo është hera e parë që konfirmohet zyrtarisht se trupat amerikane janë shënjestruar në një zonë aktive lufte përmes të dhënave të vendndodhjes.

“Ky informacion mund të përdoret për të identifikuar vendet ku grumbullohen trupat amerikane dhe modelet e lëvizjes së tyre, duke u dhënë kundërshtarëve mundësi të organizojnë sulme me raketa, dronë apo bomba artizanale”, paralajmërohet në letrën drejtuar Pentagonit.

Senatori Wyden deklaroi se është koha që “industria e reklamimit digjital të trajtohet si kërcënim për sigurinë kombëtare”.

Të dhënat e vendndodhjes përdoren gjerësisht nga kompanitë teknologjike dhe industria e reklamimit online. Ato mblidhen zakonisht nga telefonat inteligjentë përmes aplikacioneve apo shërbimeve të ndryshme dhe më pas shiten te ndërmjetës të specializuar që i rishesin në treg.

Ekspertët prej vitesh kanë paralajmëruar për rreziqet ndaj privatësisë, por tani shqetësimi është zgjeruar edhe në aspektin e sigurisë kombëtare.

Që në vitin 2016, një kontraktor amerikan i mbrojtjes kishte arritur të gjurmonte forcat speciale amerikane nga bazat e tyre në SHBA deri në një pikë të ndjeshme operacionale në Siri, duke përdorur të dhëna komerciale të vendndodhjes.

Së fundmi, gazetarë të Wired dhe dy mediave gjermane analizuan miliarda koordinata të mbledhura nga një ndërmjetës të dhënash dhe zbuluan lëvizjet e detajuara të personelit pranë 11 bazave ushtarake dhe qendrave të inteligjencës amerikane në Gjermani.

Ligjvënësit kritikuan Pentagonin se nuk ka vepruar mjaftueshëm shpejt për të mbrojtur personelin ushtarak. Ata propozuan çaktivizimin e ID-ve reklamuese në pajisjet ushtarake, fikjen automatike të ndarjes së vendndodhjes në telefonat e përdorur në terren dhe shmangien e shfletuesit Google Chrome në favor të alternativave më të sigurta për privatësinë.

Një nga firmëtarët e letrës, kongresmeni republikan Pat Harrigan, ish-oficer i forcave speciale amerikane, deklaroi se shfletues si Chrome “janë ndërtuar për të mbledhur dhe shpërndarë të dhënat e përdoruesve”, duke shtuar se përdorimi i tyre në pajisjet qeveritare “u jep kundërshtarëve një armë kundër trupave amerikane”.

Nga ana tjetër, Google reagoi duke deklaruar se Chrome ofron “siguri lider në industri” dhe se kompania ka mbështetur prej kohësh vendosjen e rregullave më të forta ndaj tregtisë së të dhënave personale.