Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump dhe Kongresit të SHBA-së për dërgimin urgjent të raketave interceptuese PAC-3, të nevojshme për sistemet Patriot, mes sulmeve gjithnjë e më intensive ruse me raketa balistike.
Në një letër të dërguar të martën, Zelensky paralajmëroi se Ukraina po përballet me një valë të re bombardimesh nga Rusia, ndërsa vetëm gjatë fundjavës sulmet shkaktuan disa viktima dhe mbi 90 të plagosur.
“Për ne, për një komb që lufton për mbijetesë, nuk ka pothuajse asgjë më të dhimbshme sesa të shohësh bateri Patriot pa raketa të ngarkuara”, shkroi Zelensky në letrën e siguruar nga POLITICO. “Ju kërkoj ndihmë për të mbrojtur qiellin e Ukrainës nga raketat ruse.”
Raketat PAC-3, të prodhuara nga SHBA-ja dhe të përdorura në sistemin Patriot, konsiderohen aktualisht mbrojtja më efektive kundër raketave balistike ruse. Megjithatë, administrata e dytë Trump thuhet se ka hezituar në furnizimin e mëtejshëm të Kievit me këto sisteme, duke e lënë Ukrainën përballë mungesave serioze.
Situata është ndërlikuar edhe më shumë nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, ku aleatët amerikanë po konsumojnë qindra raketa interceptuese PAC-3.
Në letrën e tij, Zelensky pranoi kërkesën e lartë globale për raketat Patriot dhe theksoi se Europa duhet të marrë një rol më të madh në garantimin e sigurisë së saj, në përputhje me qëndrimin e kahershëm të Trump.
Presidenti ukrainas vlerësoi gjithashtu sistemet amerikane të mbrojtjes dhe avionët luftarakë të furnizuar për Ukrainën, duke shprehur mirënjohje për ndihmën ushtarake të SHBA-së.
Sipas Zelenskyt, gjatë fundjavës Rusia lëshoi më shumë se 90 raketa ndaj territorit ukrainas, ndërsa Kremlini paralajmëroi diplomatët e huaj se bombardimet ndaj Kievit do të vazhdojnë.
“Raketat balistike janë avantazhi i fundit madhor i Putinit në fushëbetejë”, shkroi ai. “Ato mund të ndalohen. Me Patriot. Me ndihmën tuaj. Dhe ju e keni fuqinë për të ndihmuar.”