Eurojust ka zbardhur detaje të reja nga operacioni i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe italiane kundër një organizate kriminale shqiptare të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe vrasje mafioze.
Sipas agjencisë europiane të bashkëpunimit gjyqësor, aksioni i zhvilluar më 26 maj në Shqipëri dhe Itali çoi në arrestimin e 12 personave, ndërsa për tre të tjerë janë lëshuar urdhra paraqitjeje. Hetimet kanë në fokus një grup të strukturuar kriminal që operonte në të dy vendet dhe dyshohet për një sërë veprash të rënda penale.
Gjithçka nisi pas vrasjes së italianit Francesco Diviesti në zonën e Barit, në maj të vitit 2025. Sipas hetuesve italianë, një konflikt i nisur në një lokal në Barletta përfundoi me ekzekutimin e të riut në një zonë të izoluar të Upper Murgia. Hetimet për këtë ngjarje zbuluan më pas lidhje me trafikun e drogës të drejtuar nga një shtetas shqiptar, duke çuar në identifikimin e të gjithë rrjetit kriminal.
Eurojust bën me dije se paralelisht po hetohej edhe një tjetër grup shqiptarësh që vepronin në rajonin e Pulias dhe që rezultuan të lidhur me të njëjtën organizatë. Për këtë arsye, në fund të vitit 2023 u krijua një skuadër e përbashkët hetimore mes SPAK dhe Prokurorisë Antimafia të Barit, me mbështetjen e Eurojust.
Në total, 15 persona akuzohen për vrasje me paramendim me metoda mafioze, trafik droge, zhvatje, armëmbajtje pa leje, ndihmë ndaj autorëve të krimit dhe shkelje të masave të sigurisë.
Një pjesë kyçe e dosjes lidhet me pastrimin e parave. Sipas Eurojust, organizata kishte ngritur në Tiranë një strukturë të posaçme për transferimin dhe legalizimin e fitimeve të siguruara nga trafiku i drogës në Itali. Vetëm nga hetimet e deritanishme është dokumentuar pastrimi i rreth 1 milion eurove të transferuara drejt Shqipërisë.
Agjencia europiane thekson se grupet kriminale shqiptare kanë rritur ndikimin e tyre në Itali, veçanërisht në trafikun e kokainës dhe heroinës. Eurojust kujton se nga viti 2018 deri në 2026 janë ngritur pesë skuadra të përbashkëta hetimore mes SPAK dhe antimafias italiane për goditjen e organizatave shqiptare të drogës.
Bilanci i bashkëpunimit mes dy vendeve përfshin mbi 170 arrestime dhe sekuestrimin e më shumë se 7 tonëve lëndë narkotike, përfshirë kokainë, heroinë, hashash dhe marijuanë. Hetimet kanë sjellë edhe dënime deri në 20 vite burg për anëtarë të grupeve kriminale.
Eurojust nënvizon se ka mbështetur financiarisht këto hetime me më shumë se 180 mijë euro, duke mbuluar shpenzime për ekspertiza, përkthime, analiza forenzike dhe transport provash.