Izraeli urdhëron evakuimin e qytetit libanez Tyre, përshkallëzohet konflikti me Hezbollahun

Ushtria izraelite ka urdhëruar evakuimin e qytetit jugor libanez Tyre, pas një vale të re sulmesh ajrore që, sipas saj, kishin në shënjestër grupin e armatosur Hezbollah, të mbështetur nga Irani.

Forcat izraelite u bënë thirrje banorëve të Tyre dhe zonave përreth të largohen, duke deklaruar se ishin “të detyruara të vepronin me forcë” pasi Hezbollah po shkelte armëpushimin e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili kishte hyrë në fuqi pesë javë më parë.

Po të mërkurën, mediat libaneze raportuan për sulme izraelite në jug të Libanit dhe në luginën lindore Bekaa. Sipas raportimeve, tre persona humbën jetën në qytetin Choukine.

Nga ana tjetër, Hezbollah, i cili gjithashtu akuzon Izraelin për shkelje të armëpushimit, deklaroi se po përballej me trupat izraelite në veri të lumit Litani, rreth 30 kilometra nga kufiri me Izraelin.

Përshkallëzimi i situatës vjen një ditë pasi kryeministri izraelit njoftoi zgjerimin e operacioneve tokësore, pas sulmeve me dron të Hezbollahut ndaj trupave izraelite në jug të Libanit dhe ndaj civilëve në veri të Izraelit.

Tensionet e reja rrezikojnë të dëmtojnë negociatat mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit për t’i dhënë fund luftës. Irani ka insistuar që çdo marrëveshje duhet të përfshijë edhe situatën në Liban, ndërsa Izraeli ka deklaruar se rezervon të drejtën për të vazhduar luftën kundër kërcënimit të Hezbollahut.

Libani u përfshi në konflikt më 2 mars, kur Hezbollah lëshoi raketa drejt Izraelit në kundërpërgjigje ndaj një sulmi izraelit që vrau liderin suprem iranian. Izraeli reagoi me një fushatë të gjerë bombardimesh në Liban dhe me një ofensivë tokësore.

Megjithëse armëpushimi hyri në fuqi më 16 prill dhe është zgjatur dy herë që atëherë, të dyja palët kanë vazhduar shkëmbimet e zjarrit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, të paktën 3,213 persona janë vrarë që nga nisja e luftës, megjithëse bilanci nuk dallon mes civilëve dhe luftëtarëve.

Ndërkohë, Izraeli deklaron se 23 ushtarë izraelitë dhe katër civilë kanë humbur jetën gjatë konfliktit në të dy anët e kufirit.