Klodjan Skënderaj zgjidhet kreu i ri i Dhomës së Avokatisë Tiranë

Me 569 vota pro, Klodian Skënderaj është zgjedhur kryetari i ri i dhomës së Avokatisë së Tiranës. Në këtë proces zgjedhor morën pjesë 774 avokatë nga 1,910 anëtarë të Dhomës së Avokatisë Tiranë.

Në garë bashkë më Skënderajn ishin edhe Lulzim Alushi, Saimir Vishaj, Edmond Petraj, Gentjana Qendro, Malvina Lika, Mirela Biba dhe Sonila Velo.

Skënderaj siguroi 569 vota, i ndjekur nga Lulzim Alushaj me 88 vota dhe kandidati Vishaj me 43 vota.

Prof. Asoc. Dr. Klodjan Skenderaj ka përfunduar me rezultate maksimale (110/110) studimet universitare në vitin 2005, pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Gjenoves, Itali. Në vitin 2013 ka përfunduar studimet e doktoratës në fushën e së drejtës së procedurës penale, ndërsa prej vitit 2016 mban titullin “Profesor i Asociuar”.

Klodjan Skënderaj është autor i librit “Ekzekutimi i Vendimeve Penale”, literaturë për studentët në Master Shkencor Penal dhe Master Profesional Penal, në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.

Prej vitit 2018 e në vazhdim është ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës në Programin e Trajnimit Vazhdues, ndërkohë që është angazhuar si ekspert dhe në projekte të shoqatave të ndryshme me fokus ligjin procedurial penal dhe atë material.

Prej shtatorit 2020 është anëtar i Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës. Gjithashtu Skënderaj është  autor i një numri të madh punimesh shkencore të paraqitura në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe artikujve shkencorë të publikuar në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.