Dështon Lotaria Kombëtare, qeveria propozon ulje të tarifës së licencimit dhe kërkesës minimale për kapital

Qeveria ka propozuar një ulje të tarifës së licencimit për operatorin e Lotarisë Kombëtare.

Në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, propozohet ulja e tarifës së licencimit nga 1 miliard lekë që është aktualisht në 500 milionë lekë.

Gjithashtu, sipas ndryshimeve të propozuara në ligj, kapitali minimal i kërkuar nga operatori i Lotarisë Kombëtare do të ulet ndjeshëm në 40 milionë lekë, nga 1.2 miliardë lekë që është aktualisht.

Megjithatë, në të njëjtin projektligj qeveria paralelisht propozon rritjen e kontributit vjetor që operatori i Lotarisë Kombëtare duhet të derdhë si kontribut në Fondin e Posaçëm për mbështetjen e projekteve në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit, etj.

Ligji aktual parashikon se organizatori i kategorisë “Lotari Kombëtare”, brenda 31 marsit të vitit pasardhës, duhet të derdhë në llogari të Ministrisë së Financave 5% xhiros vjetore si fond për çështjet e mira, si dhe 0,4% të xhiros vjetore për ministrinë përgjegjëse për kulturën.

Projektligji i ri parashikon se organizatori i kategorisë “Lotari Kombëtare”, brenda 31 marsit të vitit pasardhës, duhet të derdhë në llogari të Fondit të Posaçëm shumën 10% të të ardhurave bruto nga loja.

Lehtësimi i kostove fillestare për operatorin e Lotarisë Kombëtare vjen pas dështimit të operatorit që e përfitoi licencën e kësaj lotarie, që pas përfundimit të afatit të licencës vendosi të tërhiqej dhe të mos e rinovonte atë, siç ishte paralajmëruar nga Monitor qysh në vitin 2021.

Lotaria Kombëtare me humbje, austriakët drejt largimit nga Shqipëria

Pas mbarimit të koncesionit dhe 30 mln euro humbje, Lotaria Kombëtare ndryshon aktivitetin në konsulencë

Albanisch Osterreichische Lotterien Holding e mori licencën për organizimin e Lotarisë Kombëtare në vjeshtën e vitit 2012, ndërsa ajo u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë në mars 2013, që konsiderohet si data efektive e hyrjes në fuqi të koncesionit.

Dhënia e licencës së Lotarisë Kombëtare në vitin 2012 ishte një proces që u shoqërua me akuza të ashpra nga opozita dhe nga kompani të tjera të interesuara. Megjithatë, vitet në vijim treguan se për austriakët marrja e kësaj licence nuk rezultoi një biznes shumë i leverdishëm.

Pasqyrat financiare të kompanisë tregojnë se deri në fund të vitit 2022 kompania kishte akumuluar humbje totale në vlerën e 3.4 miliardë lekëve ose gati 30 milionë eurove. Për të mbuluar humbjet, aksioneri ka kryer injektime periodike të kapitalit në shoqërinë shqiptare.

Sipas analizës financiare të menaxherëve të shoqërisë, humbjet i atribuohen fazës fillestare, që përfshin investime dhe shpenzime mjaft të larta në marketing, zhvillimeve të tregut dhe performancës së pakënaqshme të produkteve./Monitor