Trump: Vritet numri dy i ISIS në një operacion të përbashkët të SHBA-së dhe Nigerisë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Abu-Bilal al-Minuki, i konsideruar si numri dy i organizatës terroriste ISIS në nivel global, është vrarë gjatë një operacioni të përbashkët mes forcave amerikane dhe atyre nigeriane.

Operacioni u përshkrua nga presidenti i Nigerisë, Bola Ahmed Tinubu, si “një shembull i rëndësishëm i bashkëpunimit efektiv në luftën kundër terrorizmit”.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se misioni ishte “i planifikuar me kujdes dhe jashtëzakonisht kompleks”, duke shtuar se forcat amerikane dhe ushtria e Nigerisë eliminuan “terroristin më aktiv në botë”.

“Abu-Bilal al-Minuki mendonte se mund të fshihej në Afrikë, por ne kishim burime që na mbanin të informuar për çdo lëvizje të tij”, shkroi Trump, pa zbuluar vendndodhjen e saktë të operacionit.

Ndërkohë, Tinubu njoftoi në rrjetin social X se vlerësimet paraprake konfirmojnë eliminimin e al-Minukit, i njohur edhe si Abu-Mainok, së bashku me disa nga bashkëpunëtorët e tij gjatë një sulmi ndaj kompleksit ku ai strehohej në rajonin e Pellgut të Liqenit Çad.

Sipas presidentit nigerian, operacioni i përbashkët i dha një goditje të rëndë rrjetit të Shtetit Islamik në rajon.

Al-Minuki, shtetas nigerian, ishte shpallur “terrorist global veçanërisht i rrezikshëm” nga administrata e ish-presidentit amerikan Joe Biden në vitin 2023.

Trump falënderoi gjithashtu qeverinë nigeriane për bashkëpunimin në këtë operacion, ndonëse më herët kishte akuzuar Nigerinë se nuk po mbronte mjaftueshëm komunitetet e krishtera nga sulmet e militantëve islamikë në veriperëndim të vendit.

Nga ana tjetër, Nigeria ka mohuar çdo diskriminim fetar, duke deklaruar se forcat e saj të sigurisë luftojnë grupet e armatosura që sulmojnë si të krishterët ashtu edhe myslimanët.

Në muajin dhjetor, SHBA-ja kreu sulme ajrore kundër militantëve të lidhur me ISIS në Nigeri. Pas kësaj, Uashingtoni dislokoi dronë dhe rreth 200 trupa për trajnim dhe mbështetje me inteligjencë për ushtrinë nigeriane në luftën kundër ISIS dhe grupeve të lidhura me Al-Kaedën në Afrikën Perëndimore.

Zyrtarët ushtarakë nigerianë kanë deklaruar më herët se trupat amerikane në vend operojnë vetëm në rol jo-luftarak.