Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 8 vite burg Luc Melajn, i akuzuar për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufijve, falsifikim dokumentesh dhe drejtim të grupit të strukturuar kriminal.
Fillimisht ai u dënua me 12 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi uljen me 1/3 të dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 vite burg. Dënimi do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë dhe llogaritet nga data e arrestimit të tij, më 22 korrik 2024.
Ndërsa bashkëpunëtorët e tij, Emanuel Melaj u dënua me 4 vite burg për ndihmë në kalim të paligjshëm të kufijve, por gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e tij në provë për 3 vite.
Edhe Gëzim Camaj u dënua me 4 vite burg për të njëjtën vepër penale, në gjashtë raste, por gjithashtu përfitoi pezullim të dënimit dhe vënie në provë për 3 vite.
Gjykata urdhëroi konfiskimin e disa automjeteve dhe telefonave celularë të sekuestruar gjatë hetimeve. Mes pasurive të konfiskuara janë mbi 625 mijë lekë, mijëra euro dhe dollarë, si dhe dy automjete tip “Mercedes Benz” dhe “Volkswagen Touran”.