Xi paralajmëron Trumpin: Keqmenaxhimi i çështjes së Tajvanit mund të çojë në konflikt nes Kinës dhe SHBA-së

Presidenti kinez, Xi Jinping, paralajmëroi presidentin amerikan Donald Trump se mënyra se si do të trajtohet çështja e Tajvanit mund t’i çojë marrëdhëniet mes dy vendeve drejt një përplasjeje të rrezikshme, madje edhe konflikti.

Deklarata u bë gjatë nisjes së samitit dyditor mes SHBA-së dhe Kinës në Pekin, ku të dy liderët diskutuan mbi tregtinë, sigurinë globale dhe tensionet gjeopolitike. Megjithatë, paralajmërimi i Xi për Tajvanin spikati si mesazhi më i fortë politik i takimit.

“Çështja e Tajvanit është tema më e rëndësishme mes dy vendeve tona. Nëse menaxhohet keq, mund ta shtyjë marrëdhënien SHBA-Kinë në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe madje të çojë në konflikt”, citohet të ketë thënë Xi sipas Ministrisë së Jashtme kineze.

Takimi mes dy liderëve u zhvillua në një atmosferë ceremoniale në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, ku Trump e vlerësoi Xi-n si “një lider të madh” dhe e cilësoi samitin si potencialisht “më i madhi ndonjëherë”.

Nga ana tjetër, Xi deklaroi se negociatat tregtare mes ekipeve kineze dhe amerikane në Korenë e Jugut kishin dhënë “rezultate pozitive dhe të balancuara”, duke sinjalizuar vazhdimin e armëpushimit tregtar mes dy ekonomive më të mëdha në botë.

Analistët ndërkombëtarë vlerësojnë se paralajmërimi i Xi ndaj SHBA-së ishte më i drejtpërdrejtë se zakonisht. Sipas ekspertit të gjeopolitikës Joe Mazur nga Trivium China, Pekini po i dërgon Uashingtonit një mesazh të qartë që të mos “luajë” me çështjen e Tajvanit.

Në fokus të diskutimeve ishin edhe lufta në Lindjen e Mesme, Ukraina dhe tensionet në Gadishullin Korean. Trump pritet gjithashtu t’i kërkojë Kinës të ushtrojë ndikim mbi Iranin për t’i dhënë fund konfliktit me Uashingtonin.

Në delegacionin amerikan ndodhen edhe drejtues të kompanive të mëdha amerikane, përfshirë Elon Musk dhe Jensen Huang, të cilët synojnë zgjidhjen e çështjeve tregtare me Kinën.

Ndërkohë, Tajvani reagoi duke deklaruar se kërcënimet ushtarake të Kinës po rrisin pasigurinë në rajon. Zëdhënësja e kabinetit tajvanez, Michelle Lee, tha se forcimi i mbrojtjes kombëtare mbetet faktori kryesor për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.