Taulant Balla ka përfunduar dëshminë e tij pas 3 orësh në Gjykatën e Posaçme, ku po gjykohet dosja “Partizani”, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Pas daljes nga GJKKO, Balla u ndal të flasë për gazetarët, ku tha se uron që procesi të jetë i drejtë dhe dhe përgjegjësia penale të shkojë tek të gjithë personat me përgjegjësi.
Balla deklaroi se shpreson që të thirret si dëshmitar edhe për çështjen e “21 Janarit”, ndërsa u pyet edhe nëse kryeministri Edi Rama do të dëshmonte apo jo. Sipas Ballës, dëshmia është përgjegjësi individuale, ndaj nuk e dinte se çfarë vendimi do të marrë kreu i qeverisë.
“Fakti që në bankën e të akuzuarve ka persona që këto 35 vite kanë qeverisur vendin dhe akuzohen për korrupsion dhe fshehje të pasurisë është lajmi mirë për të gjithë shqiptarët. Uroj që procesi të jetë i drejtë dhe përgjegjësia penale të shkojë tek të gjithë personat me përgjegjësi. Nuk jam nga ata persona që kam bërë kallëzim penal me emër tjetër dhe i kam qëndruar atij kallëzimi penal të bërë në nëntor 2020. Drejtësia vonon dhe nuk harron. Privatizimi i Partizanit, fusha sportive që sot mund të ishin të dobi të të rinjve, sot janë 17 kulla që kanë prodhuar pasuri. Uroj që në vijim të jem këtu edhe për një kallëzim tjetër, që është kallëzimi për 21 janarin. Prej 21 marsit 2011 kur kam depozituar kallëzimin e parë, edhe familjarët e viktimave të 21 janarit, ka një vendim të Gjykatës së Lartë dhe Strasburgut për “21 janarin”, shpresoj që edhe për këtë çështje të më jepet mundësia si dëshmitar”, tha Balla.