Trump: Fund armëpushimit me Iranin nëse nuk arrihet marrëveshje deri të mërkurën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se mund t’i japë fund armëpushimit me Iranin nëse deri të mërkurën nuk arrihet një marrëveshje afatgjatë për përfundimin e konfliktit.

Duke folur për gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, gjatë kthimit në Uashington nga Phoenix, Trump theksoi se vendimi për zgjatjen e armëpushimit mbetet i pasigurt.

“Mund të mos e zgjas, por bllokada (mbi portet iraniane) do të mbetet”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se presioni ekonomik ndaj Iranit do të vazhdojë pavarësisht zhvillimeve diplomatike. 

Ai shtoi se në mungesë të një marrëveshjeje, Shtetet e Bashkuara mund të rifillojnë operacionet ushtarake.

“Pra, ka një bllokadë dhe për fat të keq na duhet të fillojmë të hedhim bomba përsëri,” u shpreh Trump.

Komentet e tij vijnë pas pretendimeve nga Irani se do të heqë bllokadën e vet në Ngushticën e Hormuzit. Ndërkohë Irani ka paralajmëruar se mund të ndërmarrë veprime nëse bllokada amerikane vazhdon.