Irani propozon kalim të sigurt të anijeve në Ngushticën e Hormuzit nga ana e Omanit

Irani ka paraqitur një propozim të ri në kuadër të negociatave me Shtetet e Bashkuara, duke sugjeruar lejimin e kalimit të lirë të anijeve në anën e Omanit të Ngushticës së Hormuzit pa rrezik sulmi, bëjnë të ditur burime për Reuters nga Teherani.

Sipas burimit, i cili kërkoi të mbetet anonim për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, kjo nismë do të mund të zbatohej nëse arrihet një marrëveshje që do të parandalonte përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit ka shkaktuar ndërprerjen më të madhe ndonjëherë të furnizimeve globale me naftë dhe gaz, për shkak të bllokimit të trafikut në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz të lëngshëm.

Qindra cisterna dhe anije të tjera, si dhe rreth 20 mijë detarë, kanë mbetur të bllokuar në Gjirin Persik që nga nisja e konfliktit më 28 shkurt. Një armëpushim dyjavor hyri në fuqi më 8 prill, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se lufta është pranë përfundimit. Megjithatë, kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit mbetet një pikë kyçe në negociata.

Burimi shtoi se Irani mund të lejojë përdorimin e korsisë detare në ujërat e Omanit pa ndërhyrje nga ana e tij, por nuk dha detaje nëse Teherani do të hiqte minat e mundshme apo nëse kalimi do të lejohej edhe për anijet e lidhura me Izraelin.

Propozimi, sipas tij, varet nga gatishmëria e Uashingtonit për të përmbushur kërkesat e Iranit, një kusht thelbësor për çdo përparim në negociata.

Ndërkohë, një burim perëndimor i sigurisë konfirmoi se ideja për të lejuar kalimin e lirë të anijeve në ujërat e Omanit është diskutuar, por ende nuk dihet nëse SHBA-ja ka dhënë përgjigje.

Ngushtica e Hormuzit, vetëm 34 kilometra e gjerë, është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë, duke lidhur Gjirin Persik me Oqeanin Indian dhe duke shërbyer si korridor kryesor për transportin e energjisë dhe mallrave të tjera jetike.

Ky propozim shihet si një hap i parë i Iranit drejt zbutjes së qëndrimeve të ashpra të javëve të fundit, të cilat përfshinin vendosjen e tarifave për kalimin e anijeve dhe pretendime për sovranitet mbi ngushticën, masa që u kundërshtuan nga industria globale e transportit detar dhe organizata ndërkombëtare.

Organizata Ndërkombëtare Detare e OKB-së ka paralajmëruar se vendosja e tarifave do të krijonte një precedent të rrezikshëm.

Propozimi i ri mund të shënojë gjithashtu një hap drejt rikthimit të normalitetit në lundrimin përmes ngushticës, i cili ka qenë në fuqi për dekada, pavarësisht incidenteve të herëpashershme me anije.

Ndërkohë, SHBA ka vendosur një bllokadë ndaj anijeve që transportojnë naftë nga portet iraniane, ndërsa trafiku detar në rajon mbetet i kufizuar që prej fundit të shkurtit.