Zjarri te pallati i kompleksit ‘Arlis’, 30 apartamente të prekura! Shkaku ende i panjohur

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu dje një pallat të kompleksit ‘Arlis’ në Tiranë, duke shkaktuar dëme mjaft të mëdha.

Sipas të dhënave paraprake, rreth 30 apartamente janë prekur nga flakët, të cilat dyshohet se kanë nisur në katin e parë të një biznesi.

Shkaku i zjarrit nuk është përcaktuar ende zyrtarisht, ndërsa materiali i përdorur në fasadë mund të ketë ndikuar në përhapjen e shpejtë të flakëve.

Autoritetet dhe grupet e emergjencës vijojnë punën në terren për vlerësimin e plotë të situatës dhe për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit.

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, deklaroi ditën e djeshme se është ende herët për të përcaktuar shkaqet e zjarrit. Ai theksoi se situata është vënë nën kontroll, por vijon puna për izolimin e të gjitha vatrave brenda banesave.

“Është shumë shpejt për të folur për shkaqet e zjarrit. Jemi angazhuar maksimalisht me forcat e Policisë së Shtetit dhe forcat emergjente, me të gjitha kapacitetet që kemi për të bërë të mundur lokalizimin e flakëve, që tashmë e kemi në kontroll. Është akoma shumë shpejt për të thënë se zjarri është fikur pasi po punohet në të gjitha drejtimet për të lokalizuar vatrat e zjarrit që ndodhen brenda banesave.“, u shpreh Cara.