Rritja e çmimit të naftës, nga nesër ulet me 40% flota e autobusëve të transportit publik

Shoqatat e transportit urban dhe interurban paralajmërojnë se nga nesër flota e autobusëve do të reduktohet me 40%, vendim që është marrë pas rritjes së çmimit të naftës.

Përmes një njoftimi, ato thonë se nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit dhe nuk ka pasur ndërhyrje për lehtësimin e kostove të sektorit, përfshirë taksat dhe TVSH-në.

“Kjo mungesë reagimi dhe veprimi konkret ka përkeqësuar ndjeshëm situatën financiare të operatorëve, të cilët ndodhen tashmë në kushte tejet të vështira për të përballuar vazhdimin e aktivitetit”- thuhet në njoftim.

Shoqatat thonë se kjo situatë nuk vjen si rezultat i vullnetit të operatorëve, por si pasojë direkte e mungesës së ndërhyrjes institucionale në kohë

Njoftimi i plotë

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban informojnë qytetarët se, pavarësisht problematikës së ngritur prej javësh dhe takimit të zhvilluar më datë 01.04.2026 me institucionet përgjegjëse, deri në këtë moment nuk është marrë asnjë masë konkrete mbështetëse për sektorin e transportit publik. Kështu konstatojmë se:

a) Nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit, pavarësisht kërkesës së përsëritur të operatorëve;

b) Nuk ka një vendim zyrtar apo plan veprimi për lehtësimin e barrës financiare të sektorit; c) Nuk është dhënë asnjë afat konkret për ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse;

d) Nuk ka nisur asnjë proces për rishikimin e elementeve fiskale që ndikojnë drejtpërdrejt në kostot operative (akcizë, taksë qarkullimi, TVSH).

Kjo mungesë reagimi dhe veprimi konkret ka përkeqësuar ndjeshëm situatën financiare të operatorëve, të cilët ndodhen tashmë në kushte tejet të vështira për të përballuar vazhdimin e aktivitetit. Për pasojë, ju bëjmë me dije se, duke filluar nga nesër do të reduktojmë numrin e mjeteve në qarkullim duke e ulur me 40% flotën në shërbimin e transportit publik, si një masë e detyruar për përballimin e kësaj situate emergjente.

U bëjmë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe të parashikojnë kohën e udhëtimit, duke theksuar se kjo situatë nuk vjen si rezultat i vullnetit të operatorëve, por si pasojë direkte e mungesës së ndërhyrjes institucionale në kohë.

Shoqatat mbeten të hapura për dialog dhe bashkëpunim, por theksojnë nevojën për ndërhyrje të menjëhershme dhe efektive.