Puna nga shtëpia po kthehet, por vetëm për “më të mirët”

Puna në distancë është rritur sërish, pavarësisht se muajt e fundit debati është dominuar nga rikthimi në zyrë dhe kërkesat e kompanive për prani më të madhe fizike.

Sipas një raporti të FlexJobs për vitin 2026, numri i shpalljeve për vende pune plotësisht në distancë u rrit me 20% në tremujorin e katërt të vitit 2025, duke treguar se ky model mbetet më i qëndrueshëm sesa krijohet përshtypja nga titujt e lajmeve.

Rritja, megjithatë, nuk është e shpërndarë njësoj në të gjithë tregun. Punët që po shtohen më shpejt janë ato që lidhen drejtpërdrejt me ndikimin në biznes, si rolet në shitje dhe zhvillim biznesi, menaxhim produkti, inxhinieri të të dhënave, zhvillim softueri, menaxhim projektesh dhe marketing produkti.

Pra, kompanitë po tregohen më të hapura për punën në distancë sidomos aty ku ekspertiza është e vështirë të gjendet dhe ku roli ka peshë të drejtpërdrejtë në performancën e organizatës.

Edhe lista e kompanive që po punësojnë në këto role tregon se nuk bëhet fjalë për një valë të përgjithshme liberalizimi, por për një qasje më të kujdesshme.

Punëdhënësit po përdorin fleksibilitetin si mënyrë për të tërhequr talentet më të mira, veçanërisht në pozicione teknike ose strategjike. Kjo sugjeron se puna në distancë nuk po rikthehet si normë universale, por si një zgjidhje e synuar për role me vlerë të lartë.

Nga ana tjetër, kërkesa e punonjësve për këtë model mbetet shumë e lartë. Shumë kandidatë vazhdojnë ta konsiderojnë fleksibilitetin një faktor kyç në zgjedhjen e një pune dhe se numri i aplikimeve për këto pozicione mbetet shumë më i lartë se oferta. Kjo i bën kompanitë edhe më përzgjedhëse në procesin e rekrutimit.

Në thelb, prirja duket e qartë: puna në distancë nuk është zhdukur.

Ajo po mbijeton dhe madje po rritet, por kryesisht në ato role ku bizneset e justifikojnë me nevoja konkrete, mungesë aftësish në treg ose kërkesë për ndikim të menjëhershëm në rezultate.

Për punëmarrësit, kjo do të thotë se mundësitë më të mira remote do të lidhen gjithnjë e më shumë me aftësi të specializuara dhe me prova të qarta të ekspertizës.