Irani ka deklaruar se çdo bisedim paqeje nuk mund të nisë pa përmbushjen e dy kushteve kryesore: zhbllokimin e aseteve iraniane në bankat e huaja dhe vendosjen e një armëpushimi në Liban, duke hedhur dyshime mbi negociatat e planifikuara për të shtunën në Pakistan.
Kryetari i parlamentit iranian Mohammad Baqer Qalibaf deklaroi në platformën X se këto kushte janë dakordësuar më parë me Shtetet e Bashkuara dhe paralajmëroi se bisedimet nuk do të fillojnë pa përmbushjen e tyre.
Deklarata e tij u mbështet edhe nga ministri i Jashtëm Abbas Araqchi, i cili kërkoi gjithashtu ndalimin e sulmeve ajrore izraelite në Liban. Të dy zyrtarët pritet të marrin pjesë në negociata, sipas burimeve pakistaneze.
Nga ana amerikane nuk ka pasur ende një reagim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump deklaroi për New York Post se anijet luftarake amerikane po rimbushohen me municion më të mirë në rast se bisedimet dështojnë. Ai tha se rezultatet e negociatave do të dihen brenda 24 orëve.
Në të njëjtën linjë, zëvendëspresidenti JD Vance, i cili do të udhëheqë delegacionin amerikan në Pakistan, shprehu optimizëm për një rezultat pozitiv, por paralajmëroi se SHBA nuk do të pranojë manipulime në tryezën e bisedimeve.
Irani nuk ka mundur të aksesojë dhjetëra miliarda dollarë në asete të ngrira jashtë vendit për shkak të sanksioneve amerikane mbi sektorët e tij bankar dhe energjetik.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar më herët një armëpushim dyjavor në konfliktin që ka zgjatur gjashtë javë, megjithëse situata mbetet e brishtë për shkak të sulmeve të vazhdueshme në Liban dhe tensioneve në Ngushticën e Hormuzit.
Sulmet izraelite në Liban vazhdojnë, ndërsa autoritetet libaneze raportojnë qindra viktima. Presidenti i Libanit Joseph Aoun ka dënuar një sulm të fundit në qytetin Nabatieh, ku u vranë 13 pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Sipas të dhënave lokale, që nga fillimi i përshkallëzimit të konfliktit, mijëra persona kanë humbur jetën në Liban.
Izraeli dhe SHBA-ja kanë deklaruar se fushata kundër grupit Hezbollah nuk është pjesë e marrëveshjes së armëpushimit.
Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka mbajtur një qëndrim të ashpër duke kërkuar kompensim për dëmet e luftës dhe duke paralajmëruar se agresorët nuk do të mbeten pa ndëshkim.
Teherani kërkon gjithashtu heqjen e sanksioneve ekonomike dhe njohjen e rolit të tij në kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një pikë strategjike për tregtinë globale të naftës.
Ndërkohë, Irani vazhdon të ketë aftësi raketore dhe dronë, si dhe rezerva të konsiderueshme uraniumi të pasuruar.
Përshkallëzimi i situatës dhe ndërprerjet në qarkullimin detar në Ngushticën e Hormuzit kanë ndikuar në tregjet globale të energjisë, duke rritur inflacionin dhe duke ngadalësuar ekonominë botërore.
Sipas të dhënave ekonomike të fundit në SHBA, inflacioni mujor ka shënuar rritjen më të shpejtë që nga viti 2022, si pasojë e ndikimit të konfliktit në çmimet e konsumit.